Zjarret/ Kontratat e pronës rriten 11%, primet bien 13%, sigurimi “peng” i kredive

Zjarret e ditëve të fundit, që krijuan një situatë veçanërisht të rëndë në Himarë dhe Fier, rikthejnë në vëmendje një problem të vjetër të tregut shqiptar: sigurimin ende të ulët të pronës nga zjarri dhe fatkeqësitë e tjera.

Në Himarë, flakët e përhapura me shpejtësi gjatë mbrëmjes së 4 shtatorit prekën banesa dhe rrezikuan dhjetëra të tjera, ndërsa u evakuuan banorë dhe turistë. Në zonën Fier–Levan, zjarret prekën gjithashtu banesa, ferma dhe biznese, duke detyruar evakuimin e familjeve.

Pas shuarjes së flakëve nis zakonisht llogaritja e dëmeve dhe, bashkë me të, kërkesa që shteti të kompensojë familjet apo bizneset që kanë humbur pronën. Kryeministri Edi Rama njoftoi këtë të shtunë se në Himarë e Fier do të nisë verifikimi i dëmeve për dëmshpërblimin e të prekurve.

Por ngjarje të tilla shtrojnë edhe një pyetje tjetër: sa nga banesat dhe bizneset shqiptare janë realisht të siguruara nga zjarri?

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për periudhën janar-korrik 2026, të konsultuara nga ekofin.al, tregojnë se numri i kontratave për kategorinë “Zjarr dhe dëmtime të tjera në pronë” ka arritur në 40,284, nga 36,273 kontrata në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Bëhet fjalë për një rritje prej rreth 11%, ose rreth 4 mijë kontrata më shumë.

Në pamje të parë, tendenca është pozitive. Por shifrat e tjera të tregut tregojnë një panoramë më komplekse.

Ndërsa numri i kontratave është rritur, primet e shkruara bruto nga sigurimi i zjarrit, forcave të natyrës dhe dëmtimeve të tjera në pronë kanë rënë me 13.29%. Në shtatë muajt e parë të vitit 2026, ato arritën në 1.592 miliardë lekë, nga 1.836 miliardë lekë në janar-korrik 2025.

Pra, tregu ka më shumë kontrata, por më pak prime.

Sipas të dhënave dhe informacionit të mbledhur nga ekofin.al, një pjesë e madhe e policave të sigurimit të pronës në Shqipëri vazhdojnë të lidhen me kreditimin bankar. Në këto raste, sigurimi kërkohet nga banka për pronën e vendosur si kolateral dhe jo domosdoshmërisht sepse individi apo biznesi ka zgjedhur vetë të sigurojë të gjithë pasurinë dhe aktivitetin e tij ndaj rreziqeve.

Kjo ndihmon të shpjegohet edhe paradoksi mes rritjes së numrit të kontratave dhe rënies së vlerës së primeve. Një kontratë sigurimi e lidhur me një kredi nuk do të thotë domosdoshmërisht mbulim i plotë i gjithë vlerës së pasurisë, pajisjeve, inventarit apo humbjeve që mund t’i shkaktohen një aktiviteti ekonomik.

Problemi bëhet edhe më i dukshëm te bizneset. Sigurimi nga zjarri vazhdon të mos perceptohet gjerësisht si një kosto normale e ushtrimit të aktivitetit, por shpesh si një shpenzim që mund të shmanget. Pasojat shfaqen pikërisht në ngjarje si zjarret e fundit: një lokal, magazinë, fermë apo aktivitet tjetër mund të humbasë brenda pak orësh investime të akumuluara për vite.

Në këto raste, pronarët dalin shpesh publikisht edhe në media, duke deklaruar se kanë humbur “investimin e një jete” dhe kërkojnë ndërhyrjen financiare të shtetit. Problemi është se kjo zhvendos te buxheti publik një rrezik që, në një treg normal, duhet të menaxhohet përmes sigurimit.

Sigurimi ekziston pikërisht për këtë arsye. Biznesi paguan një prim dhe shoqëria e sigurimit merr përsipër, sipas kushteve, kufijve dhe përjashtimeve të përcaktuara në kontratë, të kompensojë dëmin kur ndodh ngjarja e siguruar. Sigurisht, jo çdo dëm mbulohet automatikisht dhe niveli i dëmshpërblimit varet nga polica konkrete, por mekanizmi e zhvendos rrezikun nga individi ose biznesi drejt siguruesit, apo edhe risiguruesit.

Shifrat e AMF-së tregojnë se siguruesit po paguajnë gjithnjë e më shumë për dëmet në këtë kategori. Për periudhën janar-korrik 2026, dëmet e paguara bruto për sigurimin nga zjarri, forcat e natyrës dhe dëmtimet e tjera në pronë arritën në rreth 455 milionë lekë, nga 241.4 milionë lekë një vit më parë, pra 88.44%, ose rreth 214 milionë lekë më shumë.

Edhe numri i dëmeve të paguara për kategorinë “Zjarr dhe dëmtime të tjera në pronë” është rritur. Në janar-korrik 2026 janë regjistruar 188 praktika dëmesh të paguara, nga 152 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një rritje prej 23.68%.

Raporti me numrin e kontratave është domethënës. Shqipëria numëron vetëm rreth 40 mijë kontrata në këtë kategori sigurimi, ndërkohë që pjesa dërrmuese e ekonomisë, banesave dhe bizneseve mbetet jashtë një mekanizmi të plotë sigurimi të pronës.

Zjarret në Himarë dhe Fier janë një tjetër kujtesë se dëmi nuk është një rrezik teorik. Brenda disa orësh mund të humbasë një banesë, një magazinë, pajisjet e një biznesi apo kapitali i investuar për vite me radhë.

Në shumë vende, pikërisht për këtë arsye sigurimi i pronës konsiderohet pjesë normale e menaxhimit të rrezikut të një familjeje apo kompanie. Në Shqipëri, ndërkohë, sigurimi vazhdon të hyjë shpesh në lojë vetëm kur kërkohet nga banka.

Dhe pikërisht këtu qëndron problemi: një pronë nuk rrezikon të digjet vetëm kur është vendosur kolateral për një kredi. /ekofin.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *