Sigurimi i automjetit me një skanim QR Code, së shpejti një mënyrë e re për të verifikuar policat

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë po përgatit një sistem të ri digjital që do t’u mundësojë qytetarëve të verifikojnë vlefshmërinë e policës së sigurimit të automjetit përmes një skanimi me telefon.
Në kuadër të këtij projekti, Shoqata e Siguruesve zhvilloi një takim pune me Komitetin e Teknologjisë së Informacionit (IT), ku në fokus ishin përgatitjet për implementimin e sistemit të verifikimit të policave përmes teknologjisë QR Code.
Risia është pjesë e Platformës së Unifikuar të Sigurimeve dhe po zhvillohet në bashkëpunim me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe shoqëritë e sigurimit që operojnë në vend.
Përmes këtij sistemi, qytetarët do të kenë mundësi të kontrollojnë në mënyrë të shpejtë dhe të drejtpërdrejtë vlefshmërinë e policës së tyre të sigurimit, duke përdorur kamerën e telefonit për të skanuar kodin QR.
Sipas Shoqatës së Siguruesve, shërbimi i ri synon të rrisë transparencën në treg, të forcojë mbrojtjen e konsumatorëve dhe të krijojë më shumë besueshmëri në marrëdhënien mes të siguruarve dhe kompanive të sigurimit.
Implementimi i teknologjisë QR Code përfaqëson një tjetër hap drejt digjitalizimit të tregut shqiptar të sigurimeve, duke synuar thjeshtimin e procedurave dhe lehtësimin e aksesit të qytetarëve në informacion.
Shoqata e Siguruesve ka bërë të ditur se në vijim do të publikojë udhëzimet mbi mënyrën e funksionimit të shërbimit dhe hapat që qytetarët duhet të ndjekin për të verifikuar policat e tyre.