
Kompanitë e sigurimit, shërbime online për qytetarët!
“Çmime më të lira dhe bonuse nëse siguroheni nga telefoni apo kompjuteri”
Për të kryer një sigurim të caktuar, tashmë nuk është më nevoja të trokisni nëpër dyert e zyrave të Kompanive të Sigurimeve dhe të humbisni kohë, por këtë veprim mund ta kryeni vetë direkt online.
Në kohët e sotme ku tekneologjia dhe interneti po lehtësojnë shumë shërbime, edhe në sektorin e Sigurimeve ofrohet një mundësi e tillë.
Kompanitë kanë menduar të jenë më pranë klientëve me shërbimet online madje me çmime më të arsyeshme se ato që ofrohen në zyrat e shërbimit të klientit. Blerja e siguracionit online kushton me lire, sepse kompanitë ofrojnë bonuse deri në ofrimin e një siguracioni të dytë falas.
Mjafton të keni një kompjuter apo telefon smartphone të lidhur me internetin dhe ju mund të kryeni kudo që ndodheni online : Sigurimin e makinës, sigurimin e shëndetit privat, sigurimin e shëndetit në udhëtim, sigurimin e shtëpisë, sigurimin e shumave monetare etj.
Por si mund të blihet një siguracion online?
Pjesa më e madhe e kompanive të sigurimeve e kanë të shpjeguar këtë në web-in përkatës në sektorin “Bli Online” ku janë të renditura të gjitha shërbimet.
Për shembull, ja si do të veproni për Sigurimet e detyrueshme të makinës me anë të kompjuterit: Shkoni në Web-in e çdo kompanie, zgjidhni opsionin “ Bli online” dhe vendosni të dhënat e automjetit tuaj (targa, shasia, tipi, modeli, fuqia, vit prodhimi etj), më pas mund të kryeni pagesën me kartën e bankës ( krediti apo debiti). Sapo plotësohen të dhenat që kërkohen, siguracioni vjen menjëherë në emailin tuaj, duke shkurtuar kështu kohë dhe kosto.