Aksidentet në punë me pasoja tragjike, një kambanë alarmi për rëndësinë e sigurimit nga aksidentet personale

Një ngjarje e rëndë u shënua paraditen e sotme në zonën e Tales, në Lezhë, ku një punonjës elektrik humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës, pasi dyshohet se ra në kontakt me rrymën elektrike teksa po punonte për riparimin e një defekti në një shtyllë energjie. Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti tragjik.

Ngjarje të tilla, që prekin thellë familje dhe komunitete të tëra, rikthejnë edhe një herë në vëmendje nevojën urgjente për mbrojtje financiare ndaj rreziqeve të përditshme në punë dhe në jetë. Aksidentet janë të paparashikueshme dhe shpeshherë fatale, ndërsa pasojat e tyre shkojnë përtej humbjes njerëzore, duke krijuar vështirësi të mëdha ekonomike për familjarët.

Në këtë kontekst, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë (SHSH) thekson rëndësinë jetike të sigurimit nga aksidentet personale, si një instrument mbrojtjeje, solidariteti dhe përgjegjësie sociale. Ky sigurim ofron mbështetje të menjëhershme financiare në rast fatkeqësish, duke ndihmuar familjet të përballojnë barrën ekonomike në momentet më të vështira.

Me një kosto të përballueshme, që varion rreth 40–100 euro në vit, sigurimi nga aksidentet personale garanton deri në 24 paga mujore dëmshpërblim për familjarët në rast humbjeje jete ose paaftësie të plotë të përhershme. Ndërkohë, në rast paaftësie të pjesshme, kompensimi i jepet vetë individit, në përpjesëtim me shkallën e dëmtimit të pësuar.

Gjithashtu, në varësi të paketës së përzgjedhur, ky sigurim mbulon edhe 2,000 deri në 3,000 euro shpenzime mjekësore në vit, duke lehtësuar ndjeshëm kostot e trajtimit shëndetësor pas një aksidenti dhe duke shmangur vështirësitë financiare që shpesh shoqërojnë këto situata.

Ekspertët e fushës së sigurimeve vlerësojnë se ky është një nga produktet më të rëndësishme për çdo individ dhe familje, pasi përfaqëson një investim minimal me përfitime maksimale, duke ofruar një rrjet sigurie financiar në momentet më kritike të jetës.

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë u bën thirrje qytetarëve, punëdhënësve dhe institucioneve që të tregojnë përgjegjësi më të lartë ndaj jetës dhe sigurisë, duke zgjedhur të sigurohen dhe të investojnë në mbrojtjen financiare të vetes dhe familjeve të tyre.

Sigurimi nga aksidentet personale nuk është thjesht një produkt financiar, por një akt kujdesi, ndërgjegjësimi dhe solidariteti, që ndihmon në shmangien e dramave sociale dhe ekonomike që pasojnë humbjen e një njeriu të dashur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *