Tregu i Sigurimeve/ Vështrim mbi të dhënat statistikore Janar – Mars 2026

Gjatë periudhës Janar – Mars 2026, tregu i sigurimeve në Shqipëri ka shfaqur një ecuri pozitive në të gjithë treguesit kryesorë, duke reflektuar një zgjerim të volumit të aktivitetit.
Primet e shkruara bruto arritën në rreth 5.93 miliardë lekë, me një rritje prej 6.01% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa dëmet e paguara bruto arritën në rreth 2.14 miliardë lekë, me një rritje prej 11.81%. Paralelisht, numri i kontratave të lidhura dhe i dëmeve të paguara u rritën përkatësisht me 3.73% dhe 5.33%, duke konfirmuar zgjerimin e aktivitetit në nivel tregu. Primi mesatar në nivel tregu u rrit me 2.20% teksa dëmi mesatar u rrit edhe më shpejt, prej 6.15%.
Struktura e tregut mbetet e ruajtur dhe e dominuar nga segmenti Jo-jetë, i cili përbën 90.52% të totalit. Primet e shkruara bruto arritën në rreth 5.37 miliardë lekë, me rritje prej 6.09%, ndërsa dëmet e paguara bruto arritën në rreth 2.0 miliardë lekë, me rritje prej 16.32%.
Sigurimet e detyrueshme motorike mbeten portofoli dominues i tregut Jo-jetë, duke zënë 66.74% të tij, me prime të shkruara bruto që arritën në rreth 3.59 miliardë lekë, në rritje me 5.95%, dhe dëme të paguara bruto që arritën në rreth 1.28 miliardë lekë, në rritje me 6.09%. Ndërkohë, numri i kontratave dhe i dëmeve paraqitet relativisht i qëndrueshëm, me rritje të moderuar.
Sigurimet vullnetare kontribuojnë gjithashtu pozitivisht në zhvillimin e tregut, me prime të shkruara bruto që arritën në rreth 1.79 miliardë lekë, me një rritje prej 6.38%, mbështetur nga performanca e shumicës së klasave, ndonëse me variacione të ndjeshme ndërmjet tyre. Dëmet e paguara bruto për këtë kategori arritën në rreth 0.86 miliardë lekë, me një rritje të ndjeshme prej 40.26%, kryesisht e lidhur me pagesat e disa dëmeve të mëdha.
Segmenti Jetë ruan një peshë të vogël në treg prej 9.48% të totalit, por shfaq një ecuri pozitive. Primet e shkruara bruto në këtë segment arritën në rreth 0.56 miliardë lekë, me rritje prej 5.95%, ndërsa numri i kontratave u rrit me 3.81%. Sa i takon dëmeve, vlera e dëmeve të paguara bruto arriti në rreth 0.14 miliardë lekë, me një rënie prej 4.58% e reflektim të një niveli më të ulët pagesash në terma monetarë, pavarësisht rritjes së ndjeshme të numrit të dëmeve të paguara, prej 37.60%.
Zhvillimet dhe faktorët kryesorë ndikues
Të dhënat e raportuara në mbyllje të periudhës Janar – Mars 2026 si edhe ecuria e tyre vjetore, janë ndikuar nga disa faktorë specifikë, ndër të cilët veçojmë:
Në sigurimet motorike, veçanërisht primi mesatar i produktit dominues, MTPL e brendshme, është ulur me 2.48%, i cili vlerësohet të jetë kryesisht rezultat i fillimit të zbatimit të faktorit të riskut “Historiku i dëmeve”, sipas parashikimeve të rregullores nr. 156, datë 19.09.2024, “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.
Referuar sigurimeve vullnetare, rritja e primeve në këtë 3 mujor, reflekton kryesisht ndikimin nga klasat e përgjegjësive dhe ato të lidhura me sektorin detar. Teksa dinamika e dëmeve të paguara është përcaktuar në masë të konsiderueshme nga portofoli i sigurimeve nga zjarri dhe forcat e natyrës, si edhe nga dëmtime të tjera në pronë, duke sjellë një rritje të ndjeshme të dëmeve të paguara.
Në segmentin Jetë, zhvillimet ndikohen nga dinamika e kontratave në grup dhe nga performanca e produkteve të lidhura me kreditimin, ku rritja e numrit të dëmeve shoqërohet me ulje të vlerës mesatare të tyre.
Për të lexuar Raportin Statistikor, klikoni këtu.