Rrëshqitjet e gurëve dhe rreziqet në rrugë: Si mund të ndihmojë sigurimi Kasko?

Ngjarjet e papritura në rrugë nuk lidhen gjithmonë me përplasjet mes automjeteve. Fenomene natyrore, si rrëshqitjet e gurëve, shembjet e dherave apo rënia e objekteve mbi rrugë, mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme materiale dhe të krijojnë situata me rrezik të lartë për drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët.
Një incident i ndodhur së fundmi në një segment rrugor malor, ku një shkëmb u shkëput dhe goditi një automjet, rikthen në vëmendje rëndësinë e njohjes së mbulimeve që ofrojnë produktet e sigurimit motorik.
Kur nuk mjafton sigurimi TPL?
Sigurimi i detyrueshëm motorik (TPL) është krijuar për të mbuluar përgjegjësinë civile të drejtuesit të mjetit ndaj palëve të treta. Për këtë arsye, ai nuk mbulon dëmet që pëson vetë automjeti i siguruar si pasojë e ngjarjeve të tilla.
Edhe produktet me mbulim të kufizuar, si Minikasko, mund të kenë kushte specifike dhe nuk mbulojnë domosdoshmërisht dëmet e shkaktuara nga fenomene natyrore ose nga rënia e objekteve, në varësi të mbulimeve të përfshira në kontratë.
Roli i sigurimit Kasko
Sigurimi Kasko është një produkt vullnetar që ofron mbrojtje më të gjerë për automjetin. Në varësi të paketës së zgjedhur dhe kushteve të policës, ai mund të mbulojë dëmet e shkaktuara nga ngjarje të papritura, përfshirë edhe rreziqe që lidhen me fenomenet natyrore.
Në raste të tilla, sigurimi Kasko mund të ndihmojë në përballimin e kostove të riparimit të automjetit, të cilat mund të jenë të konsiderueshme kur dëmtohen elementë strukturorë, xhamat, sistemi i sigurisë apo pjesë të tjera të rëndësishme të mjetit.
Menaxhimi i rrezikut fillon me informimin
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë u rekomandon drejtuesve të mjeteve të njihen me mbulimet, kufizimet dhe përjashtimet e produkteve të sigurimit që zgjedhin. Një vlerësim i kujdesshëm i rreziqeve, veçanërisht për ata që udhëtojnë shpesh në zona malore ose në rrugë me ekspozim ndaj fenomeneve natyrore, ndihmon në zgjedhjen e një mbrojtjeje të përshtatshme.
Sigurimi nuk mund të parandalojë një ngjarje të papritur, por mund të ndihmojë në përballimin e pasojave financiare që ajo sjell, duke ofruar më shumë siguri për drejtuesit e mjeteve dhe familjet e tyre.