Valët e të nxehtit: Si të mbrojmë veten dhe familjen gjatë temperaturave ekstreme

Temperaturat e larta që kanë përfshirë Evropën gjatë javëve të fundit përbëjnë një rrezik serioz për shëndetin publik. Ekspertët paralajmërojnë se episodet e nxehtësisë ekstreme pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, duke rritur rrezikun për grupet më të ndjeshme të popullsisë.

Sipas studimeve evropiane, vetëm gjatë sezonit të kaluar veror, temperaturat ekstreme u shoqëruan me dhjetëra mijëra humbje jete në kontinent, duke dëshmuar se valët e të nxehtit nuk janë thjesht një fenomen stinor, por një sfidë serioze për shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve.

 

Kush është më i rrezikuar?

Rreziku është më i lartë për:

  • Personat mbi moshën 65 vjeç.
  • Fëmijët e vegjël.
  • Personat me sëmundje kardiovaskulare ose të frymëmarrjes.
  • Gratë shtatzëna.
  • Personat që punojnë ose qëndrojnë për periudha të gjata në ambiente të hapura.

Ekspozimi i zgjatur ndaj temperaturave të larta mund të shkaktojë dehidrim, goditje nga nxehtësia, përkeqësim të sëmundjeve kronike dhe komplikacione të tjera që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.

 

Si të mbroheni gjatë ditëve me temperatura ekstreme?

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin disa masa të thjeshta parandaluese:

  • Kufizoni daljet gjatë orëve më të nxehta të ditës, veçanërisht nga ora 11:00 deri në 17:00.
  • Konsumoni ujë rregullisht, edhe nëse nuk ndjeni etje.
  • Qëndroni në ambiente të freskëta ose të ajrosura mirë.
  • Përdorni veshje të lehta, me ngjyra të çelëta dhe mbrojtje për kokën kur dilni jashtë.
  • Kujdesuni veçanërisht për të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore.
  • Mos lini asnjëherë fëmijë apo kafshë shtëpiake brenda automjeteve, qoftë edhe për pak minuta.

Kujdesi është forma më e mirë e mbrojtjes

Ndryshimet klimatike po sjellin temperatura gjithnjë e më të larta dhe periudha më të gjata të vapës ekstreme. Përballë këtyre fenomeneve, informimi dhe parandalimi mbeten mjetet më të rëndësishme për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit.

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve të tregojnë përgjegjësi ndaj vetes dhe njerëzve të tyre të afërt, duke respektuar rekomandimet e autoriteteve shëndetësore dhe duke marrë masat e nevojshme deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.

Mbrojtja e jetës dhe e shëndetit fillon me kujdesin që tregojmë çdo ditë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *