Vështrim mbi të dhënat statistikore Janar – Korrik 2026

Gjatë periudhës Janar – Korrik 2026, tregu i sigurimeve në Shqipëri ka shfaqur një ecuri pozitive në të gjithë treguesit kryesorë, duke reflektuar një zgjerim të volumit të aktivitetit.   

Primet e shkruara bruto arritën në rreth 15.92 miliardë lekë, me një rritje prej 2.86% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa dëmet e paguara bruto arritën në rreth 5.41 miliardë lekë, me një rritje prej 12.52%. Paralelisht, numri i kontratave të lidhura dhe numri i dëmeve të paguara u rritën përkatësisht me 6.32% dhe 5.19%, duke vijuar konfirmimin për zgjerimin e aktivitetit të sigurimeve.
Struktura e tregut mbetet e ruajtur dhe e dominuar nga segmenti Jo-Jetë, i cili përbën 91.13% të totalit. Primet e shkruara bruto arritën në rreth 14.50 miliardë lekë, me rritje prej 2.61%, ndërsa dëmet e paguara bruto arritën në rreth 5.01 miliardë lekë, me rritje prej 14.52%.
Sigurimet e detyrueshme motorike mbeten portofoli dominues i tregut Jo-jetë, duke zënë 67.08% të tij, me prime të shkruara bruto që arritën në rreth 9.73 miliardë lekë, në rritje me 4.37%, dhe dëme të paguara bruto që arritën në rreth 3.50 miliardë lekë, në rritje me 12.36%. Ndërkohë, numri i kontratave dhe i dëmeve paraqitet relativisht i qëndrueshëm, me rritje të moderuara, respektivisht 3.45% dhe 3.24%.
Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës paraqiten thuajse të pandryshuara në zhvillimin e tregut, me prime të shkruara bruto që arritën në rreth 4.77 miliardë lekë, me një rënie të lehtë prej 0.78%, ku rritja në shumicën e klasave u kompensua nga rënia në sigurimet nga zjarri dhe forcat e natyrës dhe në dëmtimet e tjera në pronë. Dëmet e paguara bruto për sigurimet vullnetare arritën në rreth 1.51 miliardë lekë, me një rritje të ndjeshme prej 19.89% kryesisht nga sigurimet ndaj zjarrit dhe dëmtime të tjera të pronës.
Segmenti Jetë edhe pse ruan një peshë të vogël në treg, prej 8.87% të totalit, shfaq një ecuri pozitive. Primet e shkruara bruto në këtë segment arritën në mbi 1.41 miliardë lekë, me rritje prej 5.75%, ndërsa numri i kontratave u rrit me 4.91%. Sa i takon dëmeve, vlera e dëmeve të paguara bruto arriti në rreth 0.24 miliardë lekë, me një rritje prej 13.69%, shoqëruar me rritjen e ndjeshme të numrit të dëmeve të paguara, prej 23.30%.
Zhvillimet dhe faktorët kryesorë ndikues
Të dhënat e raportuara në mbyllje të periudhës Janar – Korrik 2026 si edhe ecuria e tyre vjetore,  janë ndikuar nga disa faktorë specifikë, ndër të cilët veçojmë:
Në sigurimet motorike, vijon të vlerësohet si ndikim zbatimi i faktorit të riskut “Historiku i dëmeve”, parashikuar në Rregulloren nr. 156, datë 19.09.2024.
Dy produktet e tjerë të sigurimeve të detyrueshme motorike (kartoni jeshil dhe kufitare), edhe pse me peshë të moderuar, raportojnë rënie si pasojë e lehtësimit të lëvizjes së autoveturave drejt vendeve kufitare, anëtare të CEFTA-s.
Referuar sigurimeve vullnetare, ecuria e primeve të shkruara bruto në këtë 7 mujor reflekton rritjen në klasat e aksidenteve dhe shëndetit dhe të përgjegjësisë civile, e cila u kompensua kryesisht nga rënia në sigurimet nga zjarri dhe forcat e natyrës dhe në dëmtimet e tjera në pronë.
Edhe dinamika e dëmeve të paguara është përcaktuar nga portofoli MTPL dhe ai  i sigurimeve nga zjarri dhe forcat e natyrës, duke sjellë një rritje të ndjeshme të dëmeve të paguara.
Në segmentin Jetë, zhvillimet e primeve ndikohen nga performanca e produkteve të lidhura me kreditimin si edhe dinamika e kontratave në grup, teksa rritja e numrit të dëmeve të paguara raportohet kryesisht nga kontratat flexi plan .
Referuar statistikave të muajve të fundit, vërehet se aktiviteti i dëmeve në përgjithësi është stabilizuar, duke ruajtur nivele të qëndrueshme si në vëllimin e pagesave të dëmeve, ashtu edhe në numrin e rasteve.

Për të lexuar Raportin Statistikor, klikoni këtu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *