Çfarë duhet të dini për afatet e trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim?
Kur ndodh një ngjarje e siguruar dhe paraqitet një kërkesë për dëmshpërblim, njohja e afateve dhe e procedurave të parashikuara nga legjislacioni është e rëndësishme si për të dëmtuarin, ashtu edhe për procesin e trajtimit të dëmit.
30 ditë për dëmet ndaj pronës
Për kërkesat që lidhen me dëme materiale, siguruesi përgjegjës duhet të trajtojë kërkesën brenda 30 ditëve kalendarike, pasi të jetë paraqitur dokumentacioni i plotë.
90 ditë për dëmet ndaj personit
Në rastet e dëmeve ndaj personit, afati i trajtimit të kërkesës është 90 ditë kalendarike, pasi të jetë dorëzuar dokumentacioni i plotë.
Nëse dokumentacioni i paraqitur nuk është i plotë, siguruesi duhet të njoftojë të dëmtuarin brenda 8 ditëve kalendarike, duke përcaktuar dokumentet ose informacionin që nevojitet për vijimin e trajtimit të kërkesës.
Në përfundim të shqyrtimit, në rast pranimi të kërkesës, i dëmtuari njoftohet për vlerën e dëmshpërblimit. Në rast refuzimi, duhet të njoftohet me shkrim për vendimin dhe arsyet e tij.
E drejta për ankim
Nëse i dëmtuari nuk është dakord me trajtimin e kërkesës ose me vendimin e marrë, ai ka të drejtë të paraqesë ankim pranë shoqërisë së sigurimit.
Ankimi duhet të shqyrtohet dhe të marrë përgjigje brenda 15 ditëve kalendarike nga paraqitja e tij.
Pas përfundimit të procedurës së trajtimit të dëmit dhe, kur është e aplikueshme, pas nënshkrimit të deklaratës për pranimin e dëmshpërblimit, pagesa kryhet brenda 14 ditëve kalendarike. Për rastet e vonesave, legjislacioni parashikon edhe detyrime përkatëse për interesin e vonesës.
Njohja e këtyre afateve i ndihmon qytetarët të ndjekin në mënyrë të informuar procesin e trajtimit të kërkesës së tyre dhe të ushtrojnë të drejtat që u njeh legjislacioni.
Informohuni, dokumentoni dëmin dhe ndiqni procedurat e parashikuara.
Një proces i qartë dhe transparent i trajtimit të dëmeve është pjesë e rëndësishme e mbrojtjes së të siguruarit dhe e forcimit të kulturës së sigurimeve në Shqipëri.