ShSSh shqyrton me ekspertët projektligjin “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë mblodhi ekspertët e kompanive anëtare për të diskutuar projektligjin e propozuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”.

Në këtë takim, ekspertët e fushave juridike, të marrjes në sigurim, aktuaristikës dhe financës shqyrtuan teknikisht projektligjin, duke ndarë sugjerime, ide dhe gjetje mbi përmbajtjen dhe efektet e tij në tregun shqiptar të sigurimeve.

Diskutimet u përqendruan te përafrimi i legjislacionit me standardet europiane, duke vlerësuar njëkohësisht nevojën që ndryshimet të jenë të mirëanalizuara, proporcionale dhe të zbatueshme në kushtet e tregut vendas.

Shoqata, sipas një publikimi në rrjetet e veta sociale të komunikimit, vlerëson se dialogu profesional dhe bashkëpunimi institucional janë thelbësorë për hartimin e një kuadri ligjor që forcon qëndrueshmërinë financiare të sektorit, garanton mbrojtjen e të siguruarve dhe krijon mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të tregut të sigurimeve.

Postimi:

Përafrimi me standardet europiane është një hap i rëndësishëm për sektorin e sigurimeve. Po aq i rëndësishëm është që ky proces të jetë i mirëanalizuar, proporcional dhe i zbatueshëm në kushtet e tregut shqiptar.
Besojmë se dialogu profesional dhe bashkëpunimi institucional janë thelbësorë për një legjislacion që forcon qëndrueshmërinë financiare të sektorit, garanton mbrojtjen e të siguruarve dhe krijon kushte për zhvillimin e mëtejshëm të tregut.
Një javë e ngjeshur me takime pune nga Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë me ekspertë të kompanive anëtare, përfaqësues të fushave juridike, marrjes në sigurim, aktuaristikës dhe financës, në kuadër të shqyrtimit të projektligjit të propozuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *