Vështrim mbi të dhënat statistikore Janar–Tetor 2026

Gjatë periudhës Janar–Tetor 2026, tregu i sigurimeve në Shqipëri ka shfaqur një ecuri pozitive në të gjithë treguesit kryesorë, duke reflektuar një zgjerim të volumit të aktivitetit.
Primet e shkruara bruto arritën në rreth 22.99 miliardë lekë, me një rritje prej 2.67% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa dëmet e paguara bruto, përfshirë edhe dëmet e paguara për objekt Fond Kompensimi, arritën në rreth 7.61 miliardë lekë, me një rritje prej 10.23%. Paralelisht, numri i kontratave të lidhura dhe numri i dëmeve të paguara (sigurimi Jetë dhe Jo-Jetë) u rritën përkatësisht me 6.36% dhe 5.41%, duke konfirmuar zgjerimin e aktivitetit të tregut të sigurimeve.
Struktura e tregut mbetet e ruajtur dhe e dominuar nga segmenti Jo-Jetë, i cili përbën 91.38% të totalit. Primet e shkruara bruto arritën në rreth 21.01 miliardë lekë, me rritje prej 2.36%, ndërsa dëmet e paguara bruto arritën në rreth 7.06 miliardë lekë, me rritje prej 11.84%.
Sigurimet e detyrueshme motorike mbeten portofoli dominues i tregut Jo-Jetë, duke zënë 68.33% të tij, me prime të shkruara bruto që arritën në rreth 14.36 miliardë lekë, në rritje me 3.26%, dhe dëme të paguara bruto që arritën në rreth 4.96 miliardë lekë, në rritje me 10.98%. Ndërkohë, numri i kontratave dhe i dëmeve paraqitet relativisht i qëndrueshëm, me rritje të moderuara, respektivisht 3.90% dhe 3.69%.
Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës, me prime të shkruara bruto që arritën në rreth 6.66 miliardë lekë, paraqiten me një rritje të lehtë prej 0.46%. Rritja në klasat e sigurimit të aksidenteve dhe shëndetit, të kaskos së mjeteve tokësore dhe të garancive ka kompensuar rënien në sigurimet nga zjarri dhe forcat e natyrës, në dëmtimet e tjera në pronë, si edhe në disa klasa të tjera të sigurimit. Dëmet e paguara bruto për sigurimet vullnetare arritën në rreth 2.10 miliardë lekë, me një rritje prej 13.93%, kryesisht si rezultat i rritjes së dëmeve në sigurimet nga zjarri dhe forcat e natyrës dhe në sigurimet e përgjegjësive civile të përgjithshme.
Segmenti Jetë, edhe pse ruan një peshë të vogël në treg, prej 8.59% të totalit, shfaq një ecuri pozitive. Primet e shkruara bruto në këtë segment arritën në rreth 1.98 miliardë lekë, me rritje prej 6.10%, ndërsa numri i kontratave u rrit me 5.00%. Sa i takon dëmeve, vlera e dëmeve të paguara bruto arriti në rreth 0.31 miliardë lekë, me një rritje prej 7.78%, shoqëruar me rritjen e ndjeshme të numrit të dëmeve të paguara, prej 25.42%.
Zhvillimet dhe faktorët kryesorë ndikues
Të dhënat e raportuara në mbyllje të periudhës Janar–Tetor 2026, si edhe ecuria e tyre vjetore, janë ndikuar nga disa faktorë specifikë, ndër të cilët veçojmë:
Në sigurimet motorike, vijon të vlerësohet si ndikim zbatimi i faktorit të riskut “Historiku i dëmeve”, parashikuar në Rregulloren nr. 156, datë 19.09.2024.
Ndër dy produktet e tjera të sigurimeve të detyrueshme motorike, sigurimi kufitar raporton rënie, si pasojë e lehtësimit të lëvizjes së autoveturave drejt vendeve kufitare, anëtare të CEFTA-s, ndërkohë që kartoni jeshil paraqitet thuajse i qëndrueshëm, me një rritje të lehtë të primeve dhe të numrit të kontratave.
Referuar sigurimeve vullnetare, ecuria e primeve të shkruara bruto në këtë 10-mujor reflekton rritjen në klasat e aksidenteve dhe shëndetit, të kaskos së mjeteve tokësore dhe të garancive, e cila u kompensua kryesisht nga rënia në sigurimet nga zjarri dhe forcat e natyrës dhe në dëmtimet e tjera në pronë.
Edhe dinamika e dëmeve të paguara është përcaktuar nga portofoli MTPL dhe ai i sigurimeve nga zjarri dhe forcat e natyrës, duke sjellë një rritje të ndjeshme të dëmeve të paguara. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe evidentohet një rritje e ndjeshme e vlerës së dëmeve të paguara në sigurimet e përgjegjësive civile të përgjithshme, duke kontribuar në rritjen e përgjithshme të dëmeve në tregun e sigurimeve vullnetare.
Në segmentin Jetë, zhvillimet e primeve ndikohen nga performanca e produkteve të lidhura me kreditimin, si edhe dinamika e kontratave në grup, teksa rritja e numrit të dëmeve të paguara raportohet kryesisht nga kontratat Jetë e Kombinuar.
Referuar ecurisë së treguesve të periudhës Janar–Tetor 2026, vërehet se ritmi i rritjes së vlerës së dëmeve të paguara vijon të jetë më i lartë se ritmi i rritjes së primeve të shkruara bruto. Kjo dinamikë reflekton një rritje të volumit të pagesave të dëmeve, veçanërisht në disa portofole të sigurimit të Jo-Jetës, dhe mbetet një element i rëndësishëm për monitorimin e mëtejshëm të ecurisë së tregut.
Për të lexuar Raportin Statistikor, kliko këtu.