Kur ndodh aksidenti: Rëndësia e KASKO-s dhe e deklarimit të saktë të fajësisë

Me hyrjen në fuqi të sistemit të ri “Bonus-Malus”, pranimi i fajësisë pa qenë realisht fajtor në një aksident rrugor është një gabim i madh dhe i kushtueshëm. Përveç barrës financiare, sjell edhe rreziqe të tjera ligjore.

Pas një përplasjeje, kur policia mbërrin në vendngjarje dhe kryen verifikimet e para, shpesh është vërejtur nga ekspertët e sigurimeve një prirje e gabuar: shtrembërimi i fakteve.

Si ndodhte më parë?

Në të kaluarën, kur një prej automjeteve kishte sigurim KASKO, palët shpesh binin dakord që fajin ta merrte përsipër drejtuesi i siguruar me KASKO, edhe kur nuk ishte fajtor.
Arsyeja ishte e thjeshtë: dëmet mbuloheshin nga KASKO, të dyja palët largoheshin “të kënaqura” dhe kompania e sigurimit mbante peshën financiare për të dy mjetet.

Në shumë raste, kjo “marrëveshje e fshehur” krijonte padrejtësi dhe njolloste edhe figurën e policit që duhej të përcaktonte shkaktarët e vërtetë të aksidentit. Shpesh, qytetarët e ndershëm e të kujdesshëm dilnin fajtorë pa e patur fajin real.

Pse kjo praktikë nuk ka më vend

Me sistemin Bonus-Malus, çdo aksident ndikon drejtpërdrejt në historikun e drejtuesit të mjetit. Nëse pranon fajin pa qenë realisht fajtor, emri yt regjistrohet si shkaktar dëmi dhe në vitin pasues do të paguash prime më të larta sigurimi.
Pra, një “zgjidhje e shpejtë” sot, kthehet në një dënim financiar nesër.

Këshilla për drejtuesit e mjeteve

  • Mos pranoni fajin në procesverbal nëse nuk jeni realisht fajtor.

  • Kujtoni se sigurimi KASKO nuk është arsye për të marrë përsipër përgjegjësi të padrejta.

  • Respektoni gjithmonë rrugën ligjore – ajo është garancia e vetme për drejtësi dhe për mbrojtjen e interesave tuaja.

Në fund, shtrembërimi i fakteve nuk i shërben askujt: dëmton shoferët, dëmton kompanitë e sigurimit dhe, mbi të gjitha, dëmton besimin e qytetarëve tek institucionet.
Rruga më e mençur është e thjeshtë: thuaj të vërtetën dhe mos merr përsipër fajin që nuk të takon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *