Siguria në punë nuk është luks është domosdoshmëri dhe pse Shqipëria ka nevojë urgjente për sigurimin ndaj aksidenteve në punë!

Shifrat janë të ftohta, por realiteti që ato përfaqësojnë është i dhimbshëm. Gjatë vitit të kaluar në Shqipëri u regjistruan 275 aksidente në punë, ku 212 persona mbetën të lënduar dhe 48 humbën jetën. Në të njëjtën kohë, bizneset u përballën me rreth 64.5 milionë lekë gjoba për shkelje të sigurisë në punë.
Sipas raportit vjetor të Inspektoratit Shtetëror të punës dhe Shërbimeve Shoqërore, sektorët më problematikë rezultojnë ndërtimi, industria përpunuese dhe një pjesë e shërbimeve.
Këto nuk janë thjesht statistika. Janë familje që humbin një të afërm, punëtorë që mbeten të paaftë për punë dhe biznese që përballen me pasoja të rënda financiare dhe ligjore. Ato konfirmojnë një problem të hershëm, por ende të pazgjidhur: siguria në vendin e punës mbetet një nga pikat më të dobëta të tregut të punës në vend.
Në një ekonomi ku sektorë si ndërtimi, industria përpunuese, transporti apo energjia mbajnë peshën kryesore të zhvillimit, rreziku për aksidente është i lartë. Megjithatë, përtej masave të sigurisë, një tjetër problem thelbësor mbetet në hije: mungesa e sigurimit ndaj aksidenteve në punë. Përjashtuar minatorët, kjo mbrojtje nuk është e detyrueshme me ligj për shumicën e punonjësve.
Dhe kjo ka një pasojë të drejtpërdrejtë: në shumë raste, punëtorët dhe familjet e tyre mbeten pa asnjë mbështetje financiare në momentet më të vështira.
Në pamje të parë, sigurimi mund të duket si një kosto shtesë për biznesin. Por realiteti është shumë më kompleks. Një aksident në punë nuk sjell vetëm pasoja njerëzore por ai ka një kosto të drejtpërdrejtë financiare, ndërpret aktivitetin, ul produktivitetin dhe dëmton reputacionin e kompanisë.
Për këtë arsye, sigurimi nuk është thjesht një instrument mbrojtës, por një mekanizëm i menaxhimit të riskut dhe përbën një investim në stabilitetin operacional dhe financiar të biznesit.
Por ndikimi i sigurimit nuk ndalet vetëm tek bilanci financiar. Ai prek drejtpërdrejt mënyrën si punojnë dhe ndihen punonjësit.
Një punonjës që ndjen siguri është më i fokusuar, më produktiv dhe më i qëndrueshëm në vendin e punës. Ndërsa një punonjës që përballet me pasiguri financiare apo rrezik të lartë pa mbrojtje, nuk mund të japë maksimumin e tij. Studimet tregojnë se punonjësit e mbrojtur janë dukshëm më produktivë dhe më pak të prirur të largohen nga puna.
Në Shqipëri, kjo marrëdhënie shpesh prishet sepse përtej rrezikut fizik, ekziston edhe një rrezik i heshtur: mungesa e një mbështetje financiare në rast aksidenti.
Ky realitet bëhet edhe më i dukshëm në sektorin e ndërtimit. Punë në lartësi, përdorimi i makinerive të rënda dhe standarde jo gjithmonë të respektuara e bëjnë këtë sektor ndër më të rrezikshmit në vend. Megjithatë, shumë prej punëtorëve që operojnë në këto kushte nuk janë të siguruar.
Në rast aksidenti, ata përballen jo vetëm me pasojat fizike, por edhe me pasiguri totale ekonomike. Familjet e tyre, në rastet më tragjike, mbeten pa asnjë mbështetje.
Në vendet e zhvilluara, kjo situatë trajtohet ndryshe. Sigurimi ndaj aksidenteve në punë është pjesë e pandashme e kulturës së biznesit. Ai nuk shihet si detyrim, por si përgjegjësi.
Një kompani që investon në mbrojtjen e punonjësve të saj jo vetëm që ul riskun, por fiton edhe besimin e stafit dhe rrit qëndrueshmërinë e saj. Punonjësit që ndihen të mbrojtur janë më të motivuar dhe më besnikë ndaj kompanisë.
Industria e sigurimeve në Shqipëri e sheh këtë si një nevojë urgjente.
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë thekson se siguria në punë nuk duhet të mbetet vetëm në kuadër të kontrolleve dhe gjobave, por duhet të shoqërohet me mekanizma realë mbrojtjeje.
Siguria në punë nuk duhet të shihet vetëm si detyrim ligjor, por si një përgjegjësi e drejtpërdrejtë ndaj jetës dhe mirëqenies së punonjësve. Sigurimi ndaj aksidenteve në punë është mekanizmi që garanton mbrojtje financiare për familjet dhe stabilitet për biznesin në rastet më të vështira.
Në fund, shifrat flasin qartë. Aksidentet janë reale, kostot janë të larta dhe pasojat janë të rënda. Por ajo që mungon është një qasje më e plotë ndaj mbrojtjes së punonjësit.
Pyetja nuk është më nëse siguria në punë çalon. Kjo tashmë është e provuar. Shqetësimi çdo biznesi nuk duhet të jetë nëse e përballon një sigurim por a mund ta përballojë një aksident pa sigurim???
Për të gjithë ne shtohet një pyetje më e drejtpërdrejtë:
Sa të mbrojtur janë punëtorët shqiptarë kur ndodh një aksident?