Vështrim mbi të dhënat statistikore Janar – Gusht 2026

Gjatë periudhës Janar – Gusht 2026, tregu i sigurimeve në Shqipëri ka shfaqur një ecuri pozitive në të gjithë treguesit kryesorë, duke reflektuar një zgjerim të volumit të aktivitetit.   

Primet e shkruara bruto arritën në rreth 18.34 miliardë lekë, me një rritje prej 2.44% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa dëmet e paguara bruto arritën në rreth 5.96 miliardë lekë, me një rritje prej 9.04%. Paralelisht, numri i kontratave të lidhura dhe numri i dëmeve të paguara u rritën përkatësisht me 6.14% dhe 6.39%, duke vijuar konfirmimin për zgjerimin e aktivitetit të sigurimeve.
Struktura e tregut mbetet e ruajtur dhe e dominuar nga segmenti Jo-Jetë, i cili përbën 91.29% të totalit. Primet e shkruara bruto arritën në rreth 16.75 miliardë lekë, me rritje prej 2.12%, ndërsa dëmet e paguara bruto arritën në rreth 5.51 miliardë lekë, me rritje prej 10.60%.
Sigurimet e detyrueshme motorike mbeten portofoli dominues i tregut Jo-jetë, duke zënë 68.78% të tij, me prime të shkruara bruto që arritën në rreth 11.52 miliardë lekë, në rritje me 4.01%, dhe dëme të paguara bruto që arritën në rreth 3.88 miliardë lekë, në rritje me 9.16%. Ndërkohë, numri i kontratave dhe i dëmeve paraqitet relativisht i qëndrueshëm, me rritje të moderuara, respektivisht 3.52% dhe 3.79%.
Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës paraqiten thuajse të pandryshuara në zhvillimin e tregut, me prime të shkruara bruto që arritën në rreth 5.23 miliardë lekë, me një rënie prej 1.79%, ku rritja në shumicën e klasave u kompensua nga rënia në sigurimet nga zjarri dhe forcat e natyrës dhe në dëmtimet e tjera në pronë. Dëmet e paguara bruto për sigurimet vullnetare arritën në rreth 1.64 miliardë lekë, me një rritje prej 14.15% kryesisht nga sigurimet ndaj zjarrit dhe forcave të natyrës.
Segmenti Jetë edhe pse ruan një peshë të vogël në treg, prej 8.71% të totalit, shfaq një ecuri pozitive. Primet e shkruara bruto në këtë segment arritën në rreth 1.60 miliardë lekë, me rritje prej 6.19%, ndërsa numri i kontratave u rrit me 5.25%. Sa i takon dëmeve, vlera e dëmeve të paguara bruto arriti në rreth 0.26 miliardë lekë, me një rritje prej 14.71%, shoqëruar me rritjen e ndjeshme të numrit të dëmeve të paguara, prej 22.93%.
Zhvillimet dhe faktorët kryesorë ndikues
Të dhënat e raportuara në mbyllje të periudhës Janar – Gusht 2026 si edhe ecuria e tyre vjetore,  janë ndikuar nga disa faktorë specifikë, ndër të cilët veçojmë:
Në sigurimet motorike, vijon të vlerësohet si ndikim zbatimi i faktorit të riskut “Historiku i dëmeve”, parashikuar në Rregulloren nr. 156, datë 19.09.2024.
Referuar sigurimeve vullnetare, ecuria e primeve të shkruara bruto në këtë 8 mujor reflekton rritjen në klasat e aksidenteve dhe shëndetit dhe të përgjegjësisë civile, e cila u kompensua kryesisht nga rënia në sigurimet nga zjarri, forcat e natyrës dhe dëmtimet e tjera në pronë.
Edhe dinamika e dëmeve të paguara është përcaktuar nga portofoli MTPL dhe ai  i sigurimeve nga zjarri dhe forcat e natyrës, duke sjellë një rritje të ndjeshme të dëmeve të paguara.
Në segmentin Jetë, zhvillimet e primeve ndikohen nga performanca e produkteve të lidhura me kreditimin si edhe dinamika e kontratave në grup, teksa rritja e numrit të dëmeve të paguara raportohet kryesisht nga kontratat flexi plan dhe jetë debitori.
Referuar statistikave të muajve të fundit, vërehet se aktiviteti i dëmeve në përgjithësi është stabilizuar, duke ruajtur nivele të qëndrueshme si në vëllimin e pagesave të dëmeve, ashtu edhe në numrin e rasteve.

Për të lexuar Raportin Statistikor, kliko këtu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *