Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë dhe Shoqatës Austriake të Sigurimeve
Gjatë një takimi online, diktuar nga kushtet e pandemisë, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë dhe Shoqata Austriake e Sigurimeve (VVO), nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit, si shprehje e mirëkuptimit të ndërsjellë, për të mbështetur bashkëpunimin në fushën e sigurimeve.
Në emër të Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, dokumentin e nënshkroi Z. Avni Ponari, Kryetar i Shoqatës, ndërsa për palën austriake nënshkroi Z. Louis Norman-Audenhove, Drejtor i Përgjithshëm i Shoqatës Austriake të Sigurimeve.
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë që nga viti i kaluar është anëtare e “Insurance Europe” dhe nënshkrimi i këtij memorandumi shënon hapin e parë, të rëndësishëm, si pjesë e familjes europiane të sigurimeve.
Treguesit e tregut austriak të sigurimeve janë në nivelet më të larta europiane dhe eksperienca e tyre do të jetë mjaft e rëndësishme për tregun shqiptar.
Mjafton të përmendim treguesin me sintetik – nivelin e sigurimeve që është rreth 2000 Euro për banorë, kur ky tregues tek ne është vetëm 45 Euro për banor.
Tregu austriak i sigurimeve zotëron rreth 50 % të tregut shqiptar të sigurimeve nëpërmjet kapitalit të investuar në 3 shoqëri sigurimi, nga dy gjigandët austriakë të sigurimeve, Vienna Insurance Group dhe Uniqa Group, të cilat së bashku përfaqësojnë rreth 45 % të tregut austriak të sigurimeve.
Qëllimi i këtij Memorandumi Mirëkuptimi është të mbrojë interesat e kompanive të sigurimeve, të promovojë integritetin, stabilitetin dhe efikasitetin e industrisë së sigurimeve përmes bashkëpunimit, përfshirë kanalet e komunikimit, rritjen e mirëkuptimit reciprok, shkëmbimin e informacionit, etj.
Palët do të zgjerojnë dhe lehtësojnë shkëmbimin e njohurive, përvojës dhe ekspertizës ndërmjet tyre dhe kur është e nevojshme edhe midis institucioneve të tjera të lidhura me çështjet e tregut të sigurimeve dhe të mbikëqyrjes së tij.
Dokumenti parashikon bashkëpunim në format e mëposhtme:
- Pjesëmarrja në seminare, trajnime dhe konferenca në secilin vend;
- Vizita këshilluese të ekspertëve të palëve përkatëse;
- Marrëveshja e partneritetit për të aplikuar për thirrje të hapura nga fondet e BE-së ose donatorëve të tjerë, përqendruar në iniciativa që rritin njohuritë financiare dhe kuptimin e sigurimeve.
- Shkëmbimi i praktikave të mira dhe dokumentacionit, etj.
Pjesemarrësit në takim u informuan nga Z. Michael Brandstetter, Drejtor për Europën pranë shoqatës austriake, në lidhje me zhvillimet më të fundit të tregut austriak, sidomos për situatat e veçanta, në kushtet e pandemisë.
Nga ana e tij, Z. Edvin Libohova, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Siguruesve, i njohu përfaqësuesit e tregut austriak me zhvillimet më të fundit të tregut të sigurimeve në Shqipëri, sfidat që e presin këtë treg si dhe objektivat dhe rrugët për zhvillimin e metëjshëm të tij, drejt një tregu të standarteve europiane.
Përfaqësuesit e prezencës austriake në Shqipëri, Z.Avni Ponari në cilësinë e Presidentit dhe CEO i SIGAL UNIQA Group Austria, Z. Klaidi Citozi, CEO i Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group (SIVIG ) dhe Z. Gentian Sula, CEO i Intersig Vienna Insurance Group, gjatë diskutimeve të tyre u ndalën në tema që kishin të bënin me efektet e pandemisë së Covid-19, nevojat për ndryshime legjislative në fushën e sigurimeve, sidomos ato që lidhen me sigurimin nga katastrofat natyrale, sigurimin e pronës, shëndetit, etj.
Burimi: Balkanweb.com