Kërkon 50% të dëmshpërblimit/ “Stop”: Mashtrimi i avokatit me aksidentin. As telefonin nuk u hap familjarëve

Pak ditë më parë emisioni “Stop” në Tv Klan transmetoi ankesën e familjarëve të të ndjerit Dervish Arapi. 61-vjeçari Arapi, banues në Patos, në 23 Shtator 2022, aksidentohet për vdekje nga një makinë.

Genti, administratori i një agjencie funerale në Fier, i lidhi familjarët e viktimës me dajën e vet avokat, Ardian Dauti. Ky i fundit ka lidhur disa akt-marrëveshje noteriale me ta, duke marrë përsipër përfaqësimin në të gjitha institucionet, si për çështjen penale, ashtu edhe për dëmshpërblimin.

Por avokati as telefonin nuk u hap familjarëve. Pa asnjë komunikim me avokatin, familjarët i janë drejtuar edhe prokurorisë, ku edhe ky institucion nuk u ka dhënë asnjë informacion lidhur me hetimin. Menjëherë pas transmetimit tonë, OPGj ka shkuar të takojë familjarët, pasi kishte marrë detyra për këtë dosje.

Skënder Arapi, i vëllai: Po, kështu na tha. Janë bërë tërheqje. I kanë  kthyer ato letrat dhe do bëhen prapë të reja, tha ai. Mori emrat e çupave. Pyeti ka qenë i martuar, apo s’ka qenë.

Gazetari: Domethënë edhe pse kishin kaluar gati 2 muaj dhe më tepër, gjërat filluan të lëvizin pikërisht në momentin që ju e bëtë publik këtë rast.

Skënder Arapi, i vëllai: Po, se s’kishte ardhur më parë ai, se të ishte ashtu, do kishte ardhur më parë ai.

Në marrëveshjen me familjarët avokati ka shkruar, se në çdo moment, që ata tërhiqen, ai vetë përfiton 50% të dëmshpërblimit. Ndërkohë nga Dhoma Kombëtare e Avokatëve thonë, se prokura ndaj avokatit mbrojtës është e njëanshme dhe mund të ndërpritet. Në çdo rast avokati mund të marrë deri në 5% të vlerës së punës, dhe jo 50%, siç kishte pretenduar.

Dhoma Kombëtare e Avokatëve: Prokura është e njëanshme. Bëhet nga ana e lëshuesit të prokurës. Normalisht, duhet të ketë biseduar paraprakisht me avokatin. Prokura është e pavlerë.

Gazetari: Është e pavlerë?

Dhoma Kombëtare e Avokatëve: Është e pavlerë. Është një akt i njëanshëm.

Gazetari: Pra, që sot, ai mund të prishë marrëdhënien…

Dhoma Kombëtare e Avokatëve: Ai mund të revokojë prokurën në cdo kohë. Tani, së fundmi, Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar rastin e siguracioneve, sepse ka qenë një dispozitë, që nuk lejohet që avokati të marrë më shumë se 5%. Në momentin, që ju keni operuar ka qenë e kufizuar, 5% merr avokati. Ne jemi në funksion të avokatëve. Prevalon interesi i avokatëve, por kjo nuk do të thotë, se ne mbrojmë avokatët, kur ata gabojnë.

 

Shiko videon ketu

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *