Sigurimi i pronës, shqiptarët indiferentë apo “nuk kanë frikë” nga zjarri dhe fatkeqësitë natyrore?!

 

Tregu i sigurimeve regjistroi një rritje gjatë tre-mujorit të parë të vitit 2023 si sa i përket volumit të arkëtimeve, ashtu edhe numrit të kontratave të nënshkruar.

Sipas të dhënave zyrtare të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për muajin janar-mars 2023 kapën vlerën 5,1 miliardë lekë, rreth 50 milionë dollarë, 20.12% më shumë se në janar-mars 2022.

Gjatë muajit janar-mars 2023, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 285,282, po ashtu  me një rritje prej 15.23% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Teksa segmenti i sigurimit të automjeteve vijon të jetë ai që ka peshëm më të madhe në në treg, Sigurimi i Pronës mbetet sërish në nivele minimale.

Pak ndërgjegjësimi qytetar për Sigurimin e Pronës 

Edhe pse Shqipëria rënditet mes shteteve më të rrezikuara nga fatkeqësitë natyrore, vendi ynë vijon të jetë i fundit në Evropë sa i përket shpezimeve mesatare për frymë për sigurime.

Sikur të mos mjaftonin përmbytjet e përvitshme, zjarret e përhershme, aksidentet me bombolat e gazit që sa vijnë dhe shpeshtohen apo tërmetet tragjike të vitit 2019, shqiptarët vijojnë të jenë të pandërgjegjësuar mbi rëndësinë e të qënurit të siguruar.

Sipas publikimeve të AMF, rezulton se shpenzimet për Sigurimin e Pronës, shtëpi apo biznes, ka qenë 808,270,000 Lekë. Në rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë (563,447,000 Lekë) por sërish jo aty ku duhet.

Sipas INSTAT, popullsia e Shqipërisë deri në 1 janar 2022 ka qenë 2,790,000 banorë çka do të thotë se gjatë tre muajve të parë të këtij viti një qytetar shqiptar ka shpenzuar vetëm 290 Lekë për Sigurimin e Pasurisë, ose rreth 2.5 Euro. Ndërsa një vit më parë ishte 200 Lekë ose 1.7 Euro.

Nëse do të ruhet kjo ecuri deri në fund të vitit atëherë shpenzimi vjetor do të jetë rreth 10 Euro, shumë larg vendeve të rajonit dhe atyre të Europës.

Indiferentë apo mungesë kulture?

Shqiptarët duken të prirur të sigurohen vetëm me atë produkte që janë me detyrim duke bërë që sigurimet e detyrueshme të zenë përqindjen më të madhe të tregut në Shqipëri.

Por nuk duhet harruar se viti nuk ka vetëm ditë me diell. Ka ditë me shi, përmbytje, katastrofa natyrore, tërmetet etj, fenomene për të cilat Banka Botërore ka ndezur alarmin e kuq duke i bërë thirrje edhe qeverisë për të marrë masa.

Por përse shqiptarët vazhdojnë të shpenzojnë më pak për sigurime ndërkohë që rreziqet sa vijnë dhe shtohen?

Kjo ka dy arsye kryesore: E para, për shkak të kaluarës komuniste ku për gjithçka përgjigjej shteti, kultura e sigurimit është shumë e ulët dhe e dyta, është mungesa e një sërë ligjesh që i bëjnë më të domosdoshme dhe më të rëndësishme sigurimet tek çdo qytetar.

Pse europianët nuk e mendojnë jetën pa sigurime dhe çfarë përfitojnë më shumë se ne?

Përfitimet nga sigurimet janë të njëjta, si në Shqipëri ashtu edhe në Europë e kudo pasi kontratat e sigurimit janë të njëjta. Por ndryshimi është se ne ende nuk e kemi kulturën e sigurimeve dhe pavarësisht rreziqeve mund ta mendojmë jetën tonë pa një sigurim shëndeti, sigurim shtëpie, makine apo pension pension. Një i huaj nuk mund ta mendojë.

Tregu i Sigurimeve i konsoliduar, çmimi i sigurimit i minimal

Pas tërmeteve të vitit 2019 u shkaktuan shumë dëme materiale dhe jetësore. Tregu i sigurimeve ju gjend pranë të gjithë të dëmtuarve duke i vlerësuar dëmet e shkaktuara dhe duke i likuiduar në kohë rekord.

Familjarët dhe bizneset e siguruara ishte e vetmja shtresë që nuk u “stresua” për kostot financiare të dëmeve të shkaktuara. Vlera monetare e dëmeve të paguara vetëm në atë periudhë kalon shifrën e 40 milionë eurove.

Qëllimi i sigurimit të pronës është të minimizojë kostot e mundshme të katastrofave natyrore dhe me natyrë njerëzore në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.

Për fatin e mirë të të gjithë pronarëve apo bizneseve, pajisja me një sigurim prone është ende mjaft e lirë në vendin tonë. Teksa një metër katror ndërtim në Tiranë kushton minimalisht 1000 Euro, sigurimin e Pronës mund ta bënin tuajën duke nisur nga vetëm 5,000 Lekë në vit.

Familjet apo bizneset, sado të kenë kursyer dhe vënë para mënjanë, ashpërsia e goditjes nga ngjarje të papritura mund të jetë shumë herë më e madhe se këto fonde. Dhe për të mbuluar riskun e mospërballimit ekonomik nga fenomene si zjarri, tërmeti, përmbytja etj, shoqëritë e sigurimit kanë qenë ndër shekuj dhe mbeten akoma mekanizmi mbrojtës për financat tona.

Duke transferuar riskun te kompania e sigurimit, qytetari dhe biznesin fiton sigurinë e vazhdimësisë së jetës aty ku e ka lënë. Ndaj secili duhet të sigurojë gjithçka posedon duke mos i lënë asgjë rastësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *