Sondazhi i parë mbi Edukimin Financiar në BE/ Koha që edhe në Shqipëri të kthehet në prioritet
Nën titullin “Monitorimi i nivelit të edukimit financiar në BE”, EuroBarometer ka publikuar rezultatet e të parit sondazh të kryer në Union mbi këtë temë.
Gjetjet paraqesin një vështrim mbi gjendjen aktuale të edukimit financiar në shtetet anëtare të Bashkimit Europian duke theksuar se duhet bërë më shumë për përmirësimin e nivelit të edukimit financiar.
Disa prej të dhënave kryesore të sondazhit:
Mesatarisht në të gjithë BE-në, 18% e të anketuarve kanë një rezultat të lartë të edukimit financiar, 64% kanë një rezultat mesatar dhe 18% një rezultat të ulët
Vetëm në katër vende të BE-së, më shumë se 25% e njerëzve kanë rezultate të larta në njohuritë financiare: Holandë, Suedi, Danimarkë dhe Slloveni
Gratë, të rinjtë, njerëzit me të ardhura më të ulëta dhe njerëzit me nivele më të ulët arsimor priren të jenë mesatarisht më pak të mirëinformuar financiarisht se grupet e tjera
77% e të anketuarve raportojnë se janë të kënaqur me përdorimin e shërbimeve financiare dixhitale, 14% ndihen “jo shumë rehat” dhe 7% ndjehen “aspak rehat”
Vetëm 9% e të anketuarve në të gjithë BE-në ndihen ‘shumë të sigurt’ se do të kenë para të mjaftueshme për të jetuar rehat gjatë gjithë daljes në pension; 22% ndihen “aspak të sigurt”
16% e të anketuarve nuk kanë asnjë kursim.
Rëndësia e edukimit financiar
Gjatë historisë së njerëzimit, paraja lindi dhe u zhvillua si një mjet bashkshoqërues, por asnjëherë kaq i domosdoshëm në jetët tona sa në ditët e sotme.
Sot, ekzistenca, mirëqenia, karriera, përpjekjet për progresivitet, konkurrenca dhe kërkesa për të qenë në çdo moment i aftë për të ecur përpara, janë të lidhura drejtpërdrejt me menaxhimin e parasë, me njohuritë për përdorimin e financave personale, risqet që shoqërojnë jetën tonë financiare.
Pra, duam apo nuk duam ne, jemi të detyruar të ndeshemi dhe të merremi me paranë.
Për këtë arsye, çdokush prej nesh i ka të domosdoshme njohuritë për të ardhurat, për detyrimet tatimore dhe ato pensionale, për të ardhurat e disponueshme, për shpenzimet, për prioritetet, për objektiva të qarta afatshkurtra dhe afatgjata, për kreditë etj.
Sa prej shqiptarëve sot kanë dijeni mbi koncepte si “norma e interesit”, “norma e përbërë e interesit” (rikapitalizimi), “inflacioni” apo “deflacioni”? Sa prej nesh e dine se çfarë janë sigurimet? Çfarë është Sigurimi i automjetiti, pronës, shëndetit dhe çfarë mbulon ai? Çfarë është pensioni privat dhe kolonat e tij? Si funksionon ai? Shumë pak edhe pse të gjitha këto që kemi cituar më sipër ndikojnë jetën tonë financiare e për pasojë mirëqenien tonë.
Edukimi financiar u jep njerëzve njohuri dhe besim për të marrë vendime që janë në interesin e tyre më të mirë ndaj është momenti që edhe në Shqipëri Edukimi Financiar të kthehet në një prioritet.