Rrugët vazhdojnë të vrasin/ 1128 aksidente dhe 1531 të vdekur dhe plagosur gjatë 11-mujorit 2023
Muaji nëntor i këtij viti ka sjellë më shumë aksidente rrugore krahasuar me një vit më parë.
Sipas të dhënave të INSTAT, përgjatë muajit nëntor të këtij viti ndodhën 167 aksidente rrugore, krahasuar me 92 të një viti më parë, duke shënuar një rritje me 81,5%.
INSTAT bën me dije se, numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 34,7% të numrit të aksidenteve gjithsej.
Ndërkohë e mërkura mund të konsiderohet edhe si dita e zezë e aksidenteve, pasi përgjatë muajit nëntor ditën e mërkurë ndodhën 19,8% të aksidenteve, ndërkohë që më pak aksidente ndodhën përgjatë së hënës, 8.9%.
Referuar të njëjtave të dhëna nga INSTAT, për periudhën janar-nëntor 2023, ka pasur 6.4% më shumë aksidente, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Përgjatë 11 muajve të vitit, sipas INSTAT, janë regjistruar gjithësej 1128 aksidente nga 1060 të një viti më parë, ndërsa kanë humbur jetën ose janë plagosur 1531 persona nga 1479 për të njëjtën periudhë të vitit 2022.