Shqiptarët ende të pandërgjegjësuar? Rritje me vetëm 1.30% e primeve në Sigurimin nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës
Edhe pse rreziqe sa vijnë dhe bëhen më të shpeshta, numri i qytetarëve shqiptarë që zgjedhin të sigurojnë pronën e tyre, banesë apo biznes, mbetet ende në nivele të ulta.
Referuar të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë gjysmës së parë të vitit, siguruan mbi 2,3 miliardë lekë të ardhura në total, ku vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 73.91%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 18.11% të totalit.
Ndërkohë, për portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, në periudhën janar-qershor vihet re një rritje me vetëm 2.96% e numrit të kontratave të sigurimit dhe një rritje prej 1.30% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, krahasuar me periudhën janar – qershor 2023.
Rreziqet në rritje
Me zjarret, tërmetet apo fatkeqësi të tjera natyrore që sa vijnë dhe shtohen, një rritje e tillë mund të konsiderohet e papërfillshme.
Mbi 198 milionë dollarë në vit, 16.5 milionë në muaj apo rreth 550 mijë dollarë në ditë humbet, sipas përllogaritjeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, kryesisht në formë zjarresh, përmbytjesh e tërmetesh.
Ndërkohë, gati 5 mijë shqiptarë dëmtohen ekonomikisht nga fatkeqësitë natyre çdo vit.
Kostoja e sigurimit të pronës
Për të mbrojtur pronën nga rreziqe si: Zjarri, Shpërthimet e gazit, Zjarri i shkaktuar nga rrufeja që bie direkt mbi objekt, zjarri si pasojë e rënies së mjeteve fluturuese mbi pronë apo ngarkesave të rëna nga ky mjet; Zjarri i ardhur nga fqinji, Përmbytjet, Tërmetet etj, një qytetar duhet të paguajë maksimumi 1 euro për m² në vit.
Pra, nëse prona është 100 m², një qytetar duhet të paguajë jo më shumë se 100 euro në vit.
QYTETARËT DHE BIZNESET DUHET TË NDËRGJEGJËSOHEN TASHMË MBI FAKTIN SE, ÇDO PRONË QË POSEDOHET DUHET TË SIGUROHET PËR TË QENË TË MBROJTUR FINANCIARISHT ATËHERË KUR MUND TË KEMI MË SHUMË NEVOJË…