Rritet euroizimi në tregun e sigurimeve/ Primet te Jo-Jeta arrijnë në në 33.6%

Euroizimi i tregut të sigurimeve është rritur në gjysmën e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për 6-mujorin 2024, pesha e primeve të shkruara bruto në Euro kundrejt totalit u rrit në 33.2%, nga 31.2% që kishte qenë në fund të vitit 2023.

Në mesin e këtij viti, pesha e primeve të shkruara në euro kundrejt totalit për aktivitetin e sigurimit Jo-Jetë është rritur rreth 2.3 pikë përqindje krahasuar me fundvitin 2023, duke shkuar në 33.6% nga 31.3%.

Sipas AMF, klasat që kanë shfaqur rritjen më të theksuar të primeve të shkruara në gjysmën e parë të këtij viti janë sigurimi i përgjegjësisë civile me rritje nga 44.1% në 49%, sigurimet e garancisë, me rritje të peshës nga 24.1% në 28.7%, sigurimet e pronës, me rritje të peshës nga 53.5% në 55.5%, pasuar nga sigurimet motorike me rritje të peshës nga 24.2% në 25.1%.

Ndërsa, rënie në peshë të primeve të shkruara në euro krahasuar me fundin e vitit të kaluar kanë pësuar sigurimet e aksidenteve e shëndetit, nga 62.7% në 58.2%, sigurimet e mallit në transport nga 62.9% në 60%, sigurimet e marinës nga 6% në 3.3% dhe sigurimet inxhinierike nga 82.2% në 79.6%.

Përveç produkteve të detyrueshme të Kartonit Jeshil dhe Sigurimi Kufitar, AMF vëren se ka edhe disa produkte vullnetare që rezultojnë me të ardhura pothuajse 100% të realizuara në euro, siç është sigurimi i kombinuar i aksidenteve personale dhe shëndetit, sigurimi i jetës në udhëtim dhe sigurimi i jetës së studentit.

Ndërkohë, produktet si sigurimi i mallit në transport apo sigurimet e pronës paraqesin një nivel të lartë euroizimi për shkak të interesit të siguruar nga këto kontrata, interes i cili vlerësohet kryesisht në euro në rastet e import-eksporteve.

 

LEXO EDHE: Raporti/ Ecuria e tregut të sigurimeve janar-korrik 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *