Kur natyra na vë në provë! Pse sigurimet janë mburoja që na duhet të gjithëve

Stuhia e 30 gushtit që përfshiu Tiranën dhe shumicën e Shqipërisë la pas një tablo dramatike: rrugë të përmbytura, makina të dëmtuara, banesa të izoluara dhe qytetarë të lënduar. Brenda pak minutash, fuqia e natyrës i ktheu zonat urbane në skena kaosi, duke treguar edhe një herë se sa të brishtë jemi përballë fatkeqësive të papritura.

Në raste të tilla, pyetja që ngrihet natyrshëm është: si mund të mbrohemi? Përgjigjja është e qartë – përmes sigurimeve. Ato janë garancia që humbjet materiale apo kostot shëndetësore nuk do të rëndojnë tërësisht mbi individin, familjen apo biznesin, por do të ndahen e mbulohen nëpërmjet një sistemi solidar.

Sigurimi KASKO – mbrojtje për makinën përtej aksidenteve

Automjetet janë ndër pasuritë më të prekura nga fenomenet natyrore. Makinat e përmbytura në rrugët e Lezhës, ato të dëmtuara nga pemët e rrëzuara në Tiranë apo nga objektet e fluturuara prej erës së fortë, janë dëshmi e qartë. Sigurimi KASKO nuk mbulon vetëm aksidentet e trafikut, por edhe dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore. Në këtë mënyrë, drejtuesit e mjeteve kanë mundësi të rikuperojnë dëmet pa u përballur vetëm me barrën financiare.

Sigurimi i pronës – mbrojtje për shtëpinë dhe biznesin

Pallatet e përmbytura në Lezhë, shtëpitë e dëmtuara nga uji dhe dëmet në biznese na tregojnë se prona është një nga asetet më të rrezikuara. Sigurimi i pronës mbulon dëmet nga përmbytjet, zjarret, erërat e fuqishme dhe fatkeqësi të tjera natyrore. Kjo i jep siguri familjeve që pasuria e tyre nuk humbet në një ditë të vetme dhe i mbron bizneset nga humbje që mund të rrezikojnë vazhdimësinë e tyre.

Sigurimi shëndetësor dhe aksidentet – kujdesi që na nevojitet në momentin e duhur

Dhjetëra qytetarë u dërguan me urgjencë në spital pas stuhisë së 30 gushtit, disa prej tyre me lëndime të rënda. Askush nuk mund ta parashikojë se një ditë e zakonshme mund të përfundojë me një vizitë të papritur në urgjencë. Sigurimi shëndetësor dhe ai ndaj aksidenteve janë mbështetje konkrete që sigurojnë akses në trajtimin mjekësor dhe mbulim të kostove financiare, duke e bërë përballimin e situatave të tilla më të lehtë.

Një nevojë kombëtare, jo një zgjedhje e lirë

Ngjarja e fundit është një kujtesë e qartë se sigurimet nuk duhet të shihen si një luks, por si një nevojë kombëtare. Në një kohë kur ndryshimet klimatike po sjellin gjithnjë e më shumë mot ekstrem dhe fatkeqësi natyrore, mbrojtja e makinave, pronës dhe shëndetit përmes sigurimeve është garancia më e mirë për stabilitetin financiar dhe sigurinë e qytetarëve.

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve të reflektojnë pas kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme: sigurohu sot për të qenë i mbrojtur nesër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *