Siguruesit kërkojnë të përfshihen në skemën e sigurimit të detyrueshëm të banesave

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, si përfaqësuese e tregut të sigurimeve, është njohur me projektligjin e shpallur, në faqen e konsultimit publik, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, e cila synon të bëjë të detyrueshëm sigurimin e banesave të qytetarëve nga rreziku i tërmetit.
E vlerësojmë nismën e Qeverisë për hartimin e këtij projektligji, si dhe përcaktimin e mundësisë së financimit të primit për shtresat në nevojë.
Tërmetet, përmbytjet dhe dëmet e tjera, të konsideruara si Katastrofa Natyrore (NatCat) nga industria e sigurimeve në botë, e kanë klasifikuar Shqipërinë, si një zonë e kuqe, me rrezikshmëri të lartë.
Shoqëritë e sigurimeve, dhe partnerët e tyre ndërkombëtarë, paguan në kohë rekord, rreth 40 milion Euro për dëmet nga tërmetet e vitit 2019.
Ky është një tregues i kapacitetit dhe qëndrueshmërisë financiare të shoqërive të sigurimeve, dhe partneritetit që kanë me ri-siguruesit ndërkombëtarë, të mirë kapitalizuara dhe me aftësi paguese sipas kërkesave të legjislacionit Shqiptarë.
Nga ana tjetër, tregu shqiptar i sigurimeve është i rregulluar ligjërisht, i mbikëqyrur nga AMF, pjesë e Shoqatës Evropiane të Sigurimeve, bashkëpunëtore e ngushtë e ri siguruesve potencial në Evropë e më gjerë.
Sot tregu i sigurimeve, në veprimtarinë e përditshme, dhe numrin e kufizuar të sigurimeve në banesa e biznese, ka një mbulim rreth 250 milion euro mbulime, një shifër e konsiderueshme kjo por e shpërndarë në të gjithë territorin dhe e përdorshme vetëm për objektet e siguruara.
Për këtë arsye ne e vlerësojmë projektin dhe natyrisht jemi të gatshëm të japim ekspertizën tonë në hartimin e një ligji që do të bënte të mundur mbulimin, por nga ana tjetër të krijojë hapësirat e domosdoshme dhe të qëndrueshme për një mbulim më efektiv.
Në variantin e paraqitur, projekt ligji nga njëra anë e bën të domosdoshëm sigurimin e pronës, por nga ana tjetër krijon disa probleme me tregun e sigurimeve, ku mbeten shumë gjëra për tu diskutuar dhe që janë evidente në kuadër të situatës me katastrofat natyrore (termet, zjarr, përmbytje…).
Institucionet shtetërore, në bashkëpunim me shoqëritë e sigurimit si aktore prej shumë vitesh, në një treg që ka arritur konsolidimin, duhet të kujdesen bashkërisht, për ndërtimin e një skeme sigurimi të suksesshme, që të ofrojë mbrojtjen e duhur financiare për qytetarët dhe të ulë barrën për buxhetin publik, në rast katastrofash natyrore.
Ne shpresojmë që të merret në konsideratë propozimi ynë, për ndryshimin e skemës së propozuar në projektligj, si dhe mbetemi të gatshëm të bashkëpunojmë, duke paraqitur propozimet tona të konsultuar dhe nga ekspertë të Shoqatës së Siguruesve Evropiane dhe partnerëve tanë
Për këto dhe më gjerë, Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, Znj. Mimoza Hajdarmataj ishte e ftuar në podcastin “Business Plus”, të Revista Monitor ku theksoi se skema kombëtare e sigurimit të detyrueshëm nga katastrofat natyrore duhet të përfshijë patjetër edhe tregun e sigurimeve në vend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *