Sigurimi i udhëtimit, domosdoshmëri për shqiptarët që lëvizin jashtë vendit

Numri i udhëtimeve të shqiptarëve jashtë vendit ka arritur nivele rekord gjatë viteve të fundit. Vetëm në vitin 2024, sipas të dhënave zyrtare, qytetarët mbi moshën 15 vjeç realizuan mbi 4.4 milionë udhëtime brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Kjo përfaqëson një rritje prej 43.4% krahasuar me vitin pararendës, duke treguar qartë se lëvizja për arsye pune, pushimesh, studimesh apo vizitash familjare është kthyer në një pjesë të përditshme të jetës.

Por bashkë me këtë trend, janë shtuar edhe rreziqet që lidhen me udhëtimet ndërkombëtare. Rastet e emergjencave mjekësore jashtë vendit mbeten ndër më problematiket, pasi shpenzimet për trajtime spitalore, ndërhyrje kirurgjikale, transport mjekësor apo riatdhesim arrijnë shifra të larta, shpesh të papërballueshme për individët dhe familjet shqiptare.

Një tjetër rrezik i përhapur është humbja ose vonesa e bagazheve dhe dokumenteve të udhëtimit. Një situatë e tillë jo vetëm që krijon kosto të papritura, por shoqërohet edhe me pasiguri dhe stres të madh. Pa një mbulim ligjor dhe mjekësor të përshtatshëm, çdo incident i vogël mund të kthehet në barrë të rëndë financiare.

Sigurimi i udhëtimit ofron zgjidhjen për këto problematika. Policat përkatëse mbulojnë shpenzimet mjekësore emergjente, riatdhesimin, humbjen apo vonesën e bagazheve, si dhe situata të tjera të paparashikuara. Kostoja e një police të tillë është e ulët në krahasim me dëmet që mund të shmangen, duke e bërë sigurimin një masë parandaluese dhe një mjet qetësues për çdo udhëtar.

Fakti që mbi 4.4 milionë udhëtime janë kryer vetëm gjatë vitit të kaluar, nënkupton se rreziku për t’u përballur me një emergjencë jashtë vendit është më i lartë se kurrë. Sa më shumë të rritet frekuenca e udhëtimeve, aq më e domosdoshme bëhet marrja e masave parandaluese.

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë apelon që çdo qytetar të bëjë sigurimin e udhëtimit para se të nisë rrugën jashtë vendit. Ky sigurim nuk duhet parë si luks, por si një nevojë thelbësore që garanton mbrojtje për individin dhe familjen në rast të papriturash.

Në një realitet ku udhëtimi është bërë pjesë e përditshmërisë, sigurimi i udhëtimit duhet të shihet si pjesë e domosdoshme e përgatitjeve. Vetëm kështu shqiptarët mund të shijojnë udhëtimet e tyre të qetë, të sigurt dhe pa rreziqe financiare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *