Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë mirëpret Drejtoreshën e Përgjithshme të Insurance Europe, Hajdarmataj: Kompanitë shqiptare të sigurimeve po avancojnë me ritme të shpejta

Drejtoresha e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Europës dhe njëkohësisht Sekretare e Përgjithshme e Federatës Globale të Shoqatave të Sigurimeve, znj. Thea Utoft Høj Jensen, zhvilloi sot një takim me Shoqatën e Siguruesve të Shqipërisë.
Në takim morën pjesë gjithashtu edhe përfaqësues të komiteteve dhe ekspertë të kompanive të sigurimeve.
Në fjalën e mirëseardhjes, Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve, znj. Mimoza Hajdarmataj, vlerësoi vizitën e znj. Jensen si një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve midis tregut shqiptar të sigurimeve dhe atij europian, si dhe si një moment kyç për shkëmbimin e eksperiencave dhe ideve në këtë sektor.
Znj. Hajdarmataj theksoi se kompanitë shqiptare të sigurimeve po avancojnë me ritme të shpejta drejt arritjes së standardeve europiane, veçanërisht në drejtim të transparencës, qëndrueshmërisë dhe mbrojtjes së të drejtave të klientëve e konsumatorëve. Ajo përmendi edhe sfidat me të cilat përballet tregu, kryesisht në produktet që lidhen me sigurimet e shëndetit, jetës dhe pronës, veçanërisht në rastet e fatkeqësive natyrore.
Në fjalën e saj, znj. Jensen ndau përvojat dhe mësimet e nxjerra nga tregjet europiane dhe ato të SHBA-së, duke theksuar rëndësinë e rritjes së vetëdijes së bizneseve, publikut dhe sidomos të të rinjve për rolin që luajnë sigurimet në zhvillimin ekonomik dhe social të një vendi.
Ajo prezantoi gjithashtu mundësitë që Shoqata e Siguruesve të Europës ofron për informim, aftësim profesional dhe shkëmbim përvojash mes vendeve anëtare, si dhe për përballimin e sfidave të përbashkëta të sektorit.
Në përfundim të takimit, znj. Jensen garantoi mbështetje dhe bashkëpunim afatgjatë me Shoqatën e Siguruesve të Shqipërisë.
Përfaqësuesit e kompanive shqiptare, nga ana e tyre, ndanë përvojat, sfidat dhe idetë për forcimin e tregut, rritjen e efikasitetit në raport me bizneset dhe përmirësimin e dialogut me vendimmarrjen politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *