Zjarret në Shqipëri: një rrezik që ka edhe kosto ekonomike

Situata e zjarreve të ditëve të fundit në zona të ndryshme të vendit rikthen në vëmendje jo vetëm nevojën për parandalim dhe reagim të shpejtë, por edhe pasojat e konsiderueshme që këto ngjarje mund të kenë për familjet, bizneset dhe ekonominë.
Përmasat e dëmeve të shkaktuara nga zjarret në vitet e fundit tregojnë se ky nuk është një rrezik hipotetik. Vetëm gjatë vitit 2025, zjarret prekën rreth 49 mijë hektarë pyje dhe kullota, ndërsa dëmi ekonomik në fondin pyjor dhe kullosor u vlerësua në rreth 77 milionë euro. Vetëm në qarkun e Vlorës, dëmi i përllogaritur arriti në rreth 41 milionë euro.
Këto shifra nuk përfshijnë dëmet e mundshme në banesa, biznese, bujqësi, blegtori dhe pasuri të tjera private, duke treguar se ndikimi ekonomik i zjarreve mund të jetë edhe më i gjerë.
Përballë një rreziku të tillë, sigurimi i pronës dhe i aktivitetit ekonomik është një instrument i rëndësishëm i menaxhimit të riskut. Një mbulim i përshtatshëm mund të ndihmojë familjet dhe bizneset të përballojnë pasojat financiare të një zjarri dhe të rikthehen më shpejt në normalitet, sipas kushteve të policës së sigurimit.
Sigurimi nuk e ndalon zjarrin dhe nuk zëvendëson masat e parandalimit. Por ai mund të kufizojë pasojat financiare të një ngjarjeje që mund të ndryshojë në pak orë rezultatet e punës dhe investimeve të shumë viteve.
Në një periudhë kur rreziku nga zjarret është veçanërisht i pranishëm, informimi, parandalimi dhe mbrojtja financiare duhet të ecin së bashku.
Zjarri mund të jetë i paparashikueshëm. Mënyra se si përballemi me pasojat e tij mund të planifikohet.
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë nxit qytetarët dhe bizneset të informohen mbi rreziqet që mund të mbulohen nga sigurimi dhe të vlerësojnë nevojat e tyre për mbrojtje, përpara se një ngjarje e papritur të kthehet në një humbje të pakthyeshme.