Projektligji për sigurimin nga tërmetet/ Dhoma Amerikane: I hartuar pa u konsultuar me operatorët e tregut të sigurimeve dhe ekspertët
Edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë del kundër projektligjit të qeverisë për “Sigurimin e Detyrueshëm të Banesave nga Tërmetet”.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, AmCham Albania shprehet se, projektligji është hartuar pa u konsultuar sidomos me operatorët e tregut të sigurimeve, por edhe me ekspertë të fushës që mund të ofrojnë zgjidhje të mira mbështetur në eksperiencën që kanë, duke neglizhuar në mënyrë të përsëritur një proces konsultimi të rregullt dhe gjithpërfshirës.
Sipas AmCham, ky projektligj përjashton kompanitë e sigurimeve që prej vitesh e ofrojnë këtë produkt sigurimi.
“Shoqëria aksionere që do të krijohet me pronar të vetëm shtetin, vendoset përballë shoqërive private të sigurimit të cilat kanë vite që ofrojnë një produkt të tillë me skemë vullnetare në treg, por janë të përjashtuar nga ky projektligj.
Reagimi i plotë i AmCham Albania:
Projektligji “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet”, publikuar në Platformën e konsultimeve publike në datë 7 Gusht 2023 ka patur vëmendjen e vecantë të ekspertëve të Dhomës Amerikane.
Vendimi për krijimin e Fondit Kombëtar për Tërmetet dhe impakti juridik dhe financiar i tij ka qënë një nga cështjet e analizuara me kujdes.
Shoqëria aksionere që do të krijohet me pronar të vetëm shtetin, vendoset përballë shoqërive private të sigurimit të cilat kanë vite që ofrojnë një produkt të tillë me skemë vullnetare në treg, por janë të përjashtuar nga ky projektligj.
Për më tepër ky projektligj parashikon vetëm fatkeqësinë natyrore të tërmetit, duke u mbështetur në raste studimore të vendeve si Turqia, Rumania apo Filipinet. Këto janë zona me aktivitet të lartë sizmik, ndërkohë që Shqipëria është e ekspozuar gjithashtu përballë rrisqeve të tjera natyrore si zjarri apo përmbytjet, të cilat nuk parashikohen nga projektligji. Një studim i detajuar për Shqipërinë, lidhur me rreziqet e ndryshme nga fatkeqësitë natyrore si dhe zonat më të ekspozuara, nuk shoqëron projektligjin.
Projektligji është hartuar pa u konsultuar sidomos me operatorët e tregut të sigurimeve, por edhe me ekspertë të fushës që mund të ofrojnë zgjidhje të mira mbështetur në eksperiencën që kanë, duke neglizhuar në mënyrë të përsëritur një proces konsultimi të rregullt dhe gjithpërfshirës.
Dhoma Amerikane beson se ky projektligj duhet të marrë kohën dhe vëmendjen e të gjithë grupeve të interesit për të krijuar një mundësi konkrete për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore.
Për më shumë detaje mbi komentet e AmCham ndiqni linkun.