Rreziku nga Katastrofat Natyrore dhe Sigurimi i Pronës/ Hajdarmataj: Nevojë për bashkëpunim dhe ndërveprim Qeveri-AMF, kompani dhe konsumator
E ftuar në emisionin e mëngjesit në SCAN TV, Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë znj. Mimoza Hajdarmataj, e pyetur mbi rëndësinë e Sigurimit të Pronës, u ndal tek impakti që katastrofat natyrore po shkaktojnë në shoqëri të ndryshme.
Sipas saj, ndryshimet klimatike dhe pasojat e tyre, nuk janë më një problem lokal dhe kombëtar por mbarë botëror.
Ndaj, shtoi ajo, një bashkëpunim mes qeverisë, autoritetit rregullator, kompanive të sigurimit dhe konsumatorëve, është i rëndësishëm në përzgjedhjen e skemave të ndryshme, me qëllim rikuperimin e dëmeve të mëdha.
Mimoza Hajdarmataj: Do doja ta shtrij pak bisedën, fillimisht tek ndërgjegjësimi që sot nuk është as lokal, as kombëtar por është mbarë botëror përsa i përket përshkallëzimit të rasteve, vit pas viti, të katastrofave natyrore.
Dihet që, shtete të ndryshme janë të përfshira, herë pas here, në raste katastrofash natyrore të ndryshme. Jo vetëm tërmeti. Kemi përmbytje të mëdha, huragane, cuname, thatësira të mëdha, zjarre… Kështu që, termi katastrofa natyrore është një term që tashmë po përdoret në të gjitha tryezat mbarë botërore, jo vetëm sa i përket marrjes së masave por për parandalimin që duhet të bëjnë shoqëritë apo qeveritë. Apo për skema të ndryshme që zgjidhen më pas, për të rikuperuar dëmet e mëdha, kolosale, financiare por edhe ato me impakt në jetën e qytetarëve.
Është një shqetësim i madh që diskutohet edhe në nivelin e tregjeve të sigurimeve, të autoriteteve rregullatore se si duhet të adaptohen skema të ndryshme, në kombinim, në bashkëpunim. Qeveritë, autoritetet rregullatore, siç kemi ne AMF-në, të kompanive të sigurimit dhe të konsumatorit. Është një cikël i përbashkët që duhet të ndërveprojë.
Intervista e plotë: