Rriten aksidentet nga makinat me targa të huaja në Greqi/ Ku renditen shqiptarët dhe pse nevojitet “Kartoni Jeshil”
Numri i aksidenteve nga automjete me targa të huaja është rritur gjatë vitit 2023 në Greqi, duke iu afruar niveleve të viteve para pandemisë Covid-19.
Shifrat janë publikuar nga Byroja Ndërkombëtare e Sigurimeve.
Për vitin 2023, numri i aksidenteve të shlyera nga Byroja Ndërkombëtare e Sigurimeve arriti në 4379, kundrejt 4223 për vitin 2022 duke shënuar një rritje prej 3.7%.
Vendin e parë e zënë aksidentet nga automjetet me targa bullgare të cilat arritën në 1165 në vitin 2023, (26.6% e të gjitha aksidenteve).
Më pas vijnë automjetet me targa gjermane që u përfshinë gjatë 2023-shit në 534 aksidente (14.5%) dhe ato me targa rumune me 455 aksidente (10.4%).
Sipas të dhënave zyrtare, 7% e aksidenteve janë shkaktuar nga automjetet me targa shqiptare, por Shqipëria mbetet mes Top 3 vendeve shoferët e të cilës përfshihen në më shumë aksidente jashtë vendit.
Vendin e parë e mban Italia me 248 aksidente (22.9%), e ndjekur nga Gjermania me 189 aksidente (17.4%) dhe Shqipëria me 148 aksidente (16.4%).
SIGURIMI KARTON JESHIL
Kartoni Jeshil është policë sigurimi e detyruar për të gjitha automjetet e regjistruara në Republikën e Shqipërisë të cilat udhëtojnë në një nga vendet anëtare të Këshillit të Byrove të Siguruesve Motorikë.
Kartoni jeshil mbulon përgjegjësinë civile të mbajtësit të mjetit motorik.
Kjo policë sigurimi ju mbron juve dhe automjetin tuaj nga dëmet (materiale dhe jo materiale), që i shkaktohen palëve të treta në rast aksidenti jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
DËMTIMI I AUTOMJETIT TË PAJISUR ME KARTON JESHIL
Për dëmet e ndodhura jashtë territorit të Shqipërisë, si drejtues automjeti të pajisur me policën e Kartonit Jeshil, duhet të njoftoni shoqërinë e sigurimit brenda 24 orëve dhe të jepni një informacion të detajuar rreth ngjarjes.
Dëmet e ndodhura të Kartonit Jeshil do të trajtohen sipas ligjit dhe rregullave të territorit ku ka ndodhur ngjarja, e miratuar nga “Byroja Ndërkombëtare e Kartonit Jeshil”.
SHTETET E SISTEMIT TË KARTONIT JESHIL
Me sigurimin e Kartonit Jeshil nga kompanitë e sigurimit të jo-jetës në Shqipëri, ju mund të udhëtoni të qetë dhe të sigurt në këto shtete:
Maqedoni e Veriut, Greqi, Kroaci, Slloveni, Serbi, Bosnje Hercegovinë, Mali i Zi, Turqi, Itali, Gjermani, Belgjikë, Zvicër, Republika Çeke, Danimarkë, Francë, Finlandë, Mbretëri e Bashkuar, Irlandë, Luksemburg, Norvegji, Holandë, Suedi, Sllovaki, Gjermani, Itali, Spanjë, Hungari, Portugali, Austri, Poloni, Rumani, Izrael, Marok, Tunizi, Islandë, Bullgari, Maltë, Estoni, Andorra, Qipro, Moldavi, Ukrainë, Letoni, Bjellorusi, Lituani, Rusi, Azerbajxhan.
Mos udhëtoni kurrë jashtë Shqipërisë pa patur Sigurimin “Karton Jeshil” pasi një dëm i paparashikueshëm mund të ketë kosto financiare aq të madhe sa t’ju penalizojë përgjatë gjithë jetës suaj!