Deklaroi makinën e vjedhur për të përfituar nga siguracioni, e pëson 27-vjeçari/ Sa dënohet “mashtrimi në sigurime”
Një 27-vjeçar në Vlorë e ka pësuar pasi tentoi t’i bëjë një “rreng” policisë, teksa bëri një kallëzim të rremë për vjedhjen e automjetit të tij, për të përfituar kompensim me të njëjtën vlerë.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vlorë pas kallëzimit nga K. Ç., banues në Itali, se në Zvërnec i kishin vjedhur automjetin e tij tip “Range Rover” me targa italiane, me vlerë 60,000 euro, nisën punën për zbardhjen e këtij rasti.
Si rezultat i kontrolleve të kryera automjeti u gjet i fshehur në një garazh në Tiranë, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Bazuar në pamjet filmike rezultoi se 27-vjeçari “kishte bërë kallëzim të rremë për vjedhjen e automjetit të tij, me qëllim përfitimin e kompensimit me vlerën 60 000 euro, nga kompania e siguracionit të automjetit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Për këtë rast u referuan materiale në Prokurori, ndërsa nisi procedimi në gjendje të lirë.
MASHTRIMI NË SIGURIME, VEPËR PENALE
Kompanitë e sigurimeve janë të ekspozuara ndaj mashtrimeve, në forma të ndryshme.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, gjatë vitit 2022 regjistruan 19 procedime për veprën penale të “mashtrimit në sigurime”, nga 16 që kishin qenë në vitin 2021.
Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale të klasifikuar si mashtrime për vitin 2022 arriti në 3.13%, ndërsa në vitin 2021 kishte qenë 2.35%.
Pesë individë u dënuan nga gjykata për këtë vepër penale, nga 18 që kishin qenë një vit më parë.
Neni 145 i Kodit Penal e përkufizon mashtrimin në sigurime si “paraqitja e rrethanave të rreme në lidhje me objektin që sigurohet, ose krijimi i rrethanave të rreme dhe paraqitja e tyre në dokumentet duke përfituar padrejtësisht sigurime”.
Kjo vepër penale dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.
Mashtrimi në sigurime lidhet kryesisht me inskenimin e aksidenteve ose ngjarjeve të tjera të sigurimit, me qëllim përfitimin e dëmshpërblimit nga kompanitë e sigurimeve.