Lajm i mirë! Lehtësohet lëvizja e qytetarëve shqiptarë drejt Malit të Zi me sigurimin “Karton Jeshil” 1 vjeçar me çmim të reduktuar
Duke filluar nga data 1 Shkurt 2025 qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë të lëvizin drejt Malit të Zi me policën e sigurimit “Kartoni Jeshil” për autoveturat me çmim të reduktuar 50 Euro, me afat 1 vjeçar.
Në përputhje me rekomandimet e Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), për marrjen e masave të ndërmjetme me qëllim lehtësimin e lëvizjes së lirë të mjeteve, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ndërmori një proces konsultimi për marrjen e këtij vendimi.
Bazuar në vendimin e BSHS, qytetarët shqiptarë mund të pajisen me policën e sigurimit “Karton Jeshil” me vlefshmëri 12-mujore nga data e lëshimit, e cila mbulon ekskluzivisht territorin e Malit të Zi.
Polica e sigurimit mund të blihet në pikat e kalimit kufitar të Muriqanit, Hanit të Hotit, Grabomit dhe Vermosh.
ÇFARË ËSHTË SIGURIMI “KARTONI JESHIL”?
Kartoni Jeshil është një dokument sigurimi ndërkombëtar, që mbulon përgjegjësitë e drejtuesve të mjeteve me targa shqiptare në rast aksidenti gjatë qarkullimit jashtë territorit të vendit.
– Pajisja me “Karton Jeshil” është i detyrueshëm për çdo mjet që udhëton jashtë Republikës së Shqipërisë (përjashtuar Kosovën).
– Mospajisja e siguracionit “Karton Jeshil” ka penalitete ligjore në varësi të vendit ku udhëtoni.
– Mungesa e “Kartonit Jeshil” është edhe shkak ligjor për refuzim të udhetimit nga policia vendase.
– Risku më i madh janë demet që mund ti shkaktohen palëve të treta nga drejtuesi i mjetit.
Në pjesën më të madhe të shteteve nuk ka kufi ligjor për vlerën e dëmshpërblimit, por drejtuesi i mjetit duhet të paguajë vlerën e plotë të dëmit që ai shkakton, që mund të arrijë në miliona euro.
Kohëzgjatja e “Kartonit Jeshil” mund të jetë 15 ditë, 1 muaj, 3 muaj, 6 muaj ose 1 vit, në varësi të ditëve të qëndrimit tuaj jashtë Shqipërisë.
Mos udhëtoni kurrë pa patur më parë siguracionin “Karton Jeshil” me vete pasi një dëm i vogël mund të ketë kosto aq të madhe sa të mos përballohet edhe gjatë gjithë jetës suaj…