SËMUNDJET PARAEKZISTUESE DHE SIGURIMI SHËNDETËSOR: ÇFARË DUHET TË DINI

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë rikujton rëndësinë e leximit të kujdesshëm të kushteve të kontratës së sigurimit shëndetësor, veçanërisht në lidhje me përjashtimet që lidhen me sëmundjet paraekzistuese.

Në praktikën e sigurimeve shëndetësore në vend, sëmundjet paraekzistuese përbëjnë një nga përjashtimet standarde të çdo kontrate. Këto gjendje janë të përcaktuara qartë në dokumentacionin kontraktor, qoftë në seksionin e objektit të sigurimit, ashtu edhe në listën e përjashtimeve, duke qenë pjesë integrale e marrëveshjes midis palëve.

Në thelb, sigurimi shëndetësor është i konceptuar për të mbuluar financiarisht vetëm ato raste që lindin pas hyrjes në fuqi të kontratës dhe që paraqiten si ngjarje të reja, zakonisht me karakter akut. Çdo gjendje shëndetësore që është diagnostikuar, trajtuar apo ka shfaqur simptoma përpara lidhjes së kontratës, konsiderohet sëmundje paraekzistuese dhe, si e tillë, nuk përfshihet në mbulim.

Është e rëndësishme të theksohet se deklarimi i pasaktë apo fshehja e një gjendjeje të tillë me qëllim përfitimin nga mbulimi i sigurimit përbën keqpërdorim të kontratës. Në këto raste, refuzimi i mbulimit nga ana e siguruesit është një veprim i bazuar në kushtet kontraktore dhe në kuadrin ligjor në fuqi.

Eksperienca e tregut tregon se ekziston ende një nivel i konsiderueshëm keqkuptimi mbi këtë çështje, shpesh i shoqëruar me pretendime të pabazuara për mbulim. Megjithatë, është e rëndësishme të kuptohet se interpretimi i kontratës nuk mund të ndryshojë përmes ankesave, kur kushtet janë të qarta dhe të pranuara paraprakisht nga i siguruari.

Në këtë kontekst, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë inkurajon qytetarët që, përpara lidhjes së një kontrate sigurimi shëndetësor, të informohen plotësisht mbi përmbajtjen e saj dhe të shqyrtojnë alternativa të tjera për menaxhimin e sëmundjeve paraekzistuese, të cilat nuk mbulohen nga sigurimi.

Respektimi i kushteve të kontratës dhe mirëkuptimi i drejtë i tyre është thelbësor për një marrëdhënie të qëndrueshme dhe transparente mes të siguruarit dhe siguruesit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *