Forumi Ndërkombëtar mbi Rrezikun e Katastrofave Natyrore dhe Sigurimi, Insurance Europe sjell në Tiranë diskutimin europian për rolin e sigurimeve

Në Tiranë u zhvillua Forumi Ndërkombëtar “Rreziku nga Fatkeqësitë Natyrore në Shqipëri dhe Sigurimi si një zgjidhje për mbulimin e tyre”, organizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në bashkëpunim me AON dhe Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë të industrisë së sigurimeve dhe risigurimeve.
Forumi u kthye në një platformë të rëndësishme diskutimi mbi sfidat që sjellin katastrofat natyrore, si tërmetet, përmbytjet, zjarret dhe ngjarjet ekstreme klimatike, si edhe mbi nevojën për krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm financiarë për mbrojtjen e qytetarëve, bizneseve dhe ekonomisë.
Një nga momentet kryesore të aktivitetit ishte video-mesazhi i Nicolas Jeanmart, përfaqësues i Insurance Europe, një prej organizatave më prestigjioze europiane që përfaqëson industrinë e sigurimeve dhe risigurimeve në nivel kontinental.
Në fjalën e tij, Jeanmart theksoi se Europa dhe vendet përreth po përballen me një rritje të ndjeshme të frekuencës dhe intensitetit të katastrofave natyrore, duke përfshirë përmbytjet, stuhitë, zjarret pyjore dhe thatësirat. Referuar të dhënave të Swiss Re, ai u shpreh se edhe pse viti 2025 rezultoi më pak i rëndë krahasuar me vitet pararendëse, katastrofat natyrore shkaktuan rreth 220 miliardë dollarë humbje ekonomike në nivel global.
Jeanmart solli në vëmendje edhe shembuj konkretë nga rajoni dhe Europa, duke përmendur përmbytjet në Portugali dhe zjarret masive që prekën Shqipërinë gjatë verës së vitit 2025, si tregues të qartë të ndikimit në rritje të ndryshimeve klimatike dhe ekspozimit ndaj rrezikut.
Sipas tij, ndryshimet klimatike mbeten një faktor kyç në shtimin e ngjarjeve ekstreme, por jo i vetmi. Urbanizimi, rritja ekonomike dhe ndërtimi i aseteve në zona të ekspozuara ndaj rrezikut po kontribuojnë gjithashtu në rritjen e humbjeve ekonomike nga katastrofat natyrore.
Diskutimet në forum u fokusuan gjithashtu në modelet ndërkombëtare të sigurimit dhe risigurimit, partneritetet publik-private dhe nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për ndërtimin e skemave më efektive të mbrojtjes financiare në Shqipëri.
Pjesë e forumit ishte edhe ekspozita fotografike “120 Vjet Përballë Natyrës”, me imazhe që dokumentojnë tërmetet, përmbytjet dhe zjarret që kanë prekur Shqipërinë ndër vite, duke sjellë në vëmendje rëndësinë e përgatitjes, parandalimit dhe mbrojtjes financiare përballë rreziqeve natyrore.