Vështrim mbi të dhënat statistikore për tregun e sigurimive Janar – Prill 2026

Gjatë periudhës Janar – Prill 2026, tregu i sigurimeve në Shqipëri ka shfaqur një ecuri pozitive në të gjithë treguesit kryesorë, duke reflektuar një zgjerim të volumit të aktivitetit.

Primet e shkruara bruto arritën në rreth 8.31 miliardë lekë, me një rritje prej 8.39% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa dëmet e paguara bruto arritën në rreth 3.03 miliardë lekë, me një rritje prej 13.35%. Paralelisht, numri i kontratave të lidhura dhe numri i dëmeve të paguara u rritën përkatësisht me 4.89% dhe 5.31%, duke vijuar konfirmimin për zgjerimin e aktivitetit të sigurimeve.

Primi mesatar i nënshkruar në nivel tregu u rrit me 3.33%, teksa dëmi mesatar i paguar (Jetë dhe Jo Jetë) përllogaritet me tejkalim të ndjeshëm, me rritje vjetore prej 10.11%.

Struktura e tregut mbetet e ruajtur dhe e dominuar nga segmenti Jo-jetë, i cili përbën 90.77% të totalit. Primet e shkruara bruto arritën në rreth 7.54 miliardë lekë, me rritje prej 8.79%, ndërsa dëmet e paguara bruto arritën në rreth 2.80 miliardë lekë, me rritje prej 16.60%.

Sigurimet e detyrueshme motorike mbeten portofoli dominues i tregut Jo-jetë, duke zënë 64.99% të tij, me prime të shkruara bruto që arritën në rreth 4.90 miliardë lekë, në rritje me 5.43%, dhe dëme të paguara bruto që arritën në rreth 1.88 miliardë lekë, në rritje me 13.61%. Ndërkohë, numri i kontratave dhe i dëmeve paraqitet relativisht i qëndrueshëm, me rritje të moderuara, respektivisht 0.54% dhe 2.49%.

Sigurimet vullnetare vijojnë të kontribuojnë gjithashtu pozitivisht në zhvillimin e tregut, me prime të shkruara bruto që arritën në rreth 2.64 miliardë lekë, me një rritje prej 15.66%, mbështetur nga performanca e shumicës së klasave, ndonëse me variacione të ndjeshme ndërmjet tyre. Dëmet e paguara bruto për këtë kategori arritën në rreth 0.93 miliardë lekë, me një rritje të ndjeshme prej 23.19%.

Segmenti Jetë edhe pse ruan një peshë të vogël në treg, prej 9.23% të totalit, shfaq një ecuri pozitive. Primet e shkruara bruto në këtë segment arritën në rreth 0.77 miliardë lekë, me rritje prej 5.06%, ndërsa numri i kontratave u rrit me 4.81%. Sa i takon dëmeve, vlera e dëmeve të paguara bruto arriti në rreth 0.14 miliardë lekë, me një rritje prej 4.39%, shoqëruar me rritjen e ndjeshme të numrit të dëmeve të paguara, prej 31.65%.

Zhvillimet dhe faktorët kryesorë ndikues

Të dhënat e raportuara në mbyllje të periudhës Janar – Prill 2026 si edhe ecuria e tyre vjetore,  janë ndikuar nga disa faktorë specifikë, ndër të cilët veçojmë:

Në sigurimet motorike, veçanërisht primi mesatar i produktit dominues, MTPL e brendshme, është ulur edhe më tej, me 2.19%, i cili vijon të vlerësohet si rezultat i efektit të zbatimit të faktorit të riskut “Historiku i dëmeve”, parashikuar në Rregulloren nr. 156, datë 19.09.2024.
Dy produktet e tjerë të sigurimeve të detyrueshme motorike (kartoni jeshil dhe kufitare), edhe pse me peshë të moderuar, raportojnë rënie si pasojë e lehtësimit të lëvizjes së autoveturave drejt vendeve kufitare, anëtare të CEFTA-s.

Referuar sigurimeve vullnetare, rritja vjetore e primeve te shkruara bruto në këtë 4 mujor, reflekton kryesisht ndikimin nga klasa e sigurimit nga zjarri dhe dëme të tjera në pronë (me kontribut në këtë rritje në masën 60%).
Edhe dinamika e dëmeve të paguara është përcaktuar nga portofoli i sigurimeve nga zjarri dhe forcat e natyrës, si edhe nga dëmtime të tjera në pronë, duke sjellë një rritje të ndjeshme të dëmeve të paguara.

Në segmentin Jetë, zhvillimet e primeve ndikohen nga performanca e produkteve të lidhura me kreditimin si edhe dinamika e kontratave në grup, teksa rritja e numrit të dëmeve të paguara raportohet më së shumti nga kontratat flexi plan .
Referuar edhe statistikave të muajit paraardhës, mund të thuhet se aktiviteti i dëmeve ka  shfaqur një stabilizim, si në vëllime pagesash ashtu edhe në numër rastesh.

Për të lexuar Raportin Statistikor, klikoni këtu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *